Këshilltari i Presidentit Meta për Sigurinë Kombëtare, Bahri Shaqiri sqaroi në një konferencë për mediat arsyet përse Kreu i Shtetit i është drejtuar me një letër kryeministrit Edi Rama, zëvendëskryeministrit Erjon Braçe dhe ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka për kapacitetet që ka vendi ynë për të përballuar fatkeqësitë natyrore.

Shaqiri: Qëllimi i kësaj Kërkese ishte informimi mbi funksionalitetin e institucioneve të shtetit në shërbim të qytetarëve, me qëllim parandalimin dhe minimizimin e pasojave të mundshme në dëm të jetës së qytetarëve. Për më tepër, duke patur parasysh:  1. Mungesën e përgjigjes së ministres së Mbrojtjes për takim institucional lidhur me këtë çështje në institucionin e Presidentit të Republikës; 2. Krizën e rëndë institucionale që ka kapur vendin, përplasjen që ekziston mes institucioneve qendrore dhe lokale, që sjell si pasojë vështirësi në ushtrimin e kompetencave të organeve përgjegjëse. 

Shaqiri theksoi se është detyrë e institucioneve të vlerësojnë dhe të marrin masat për riskun potencial të një fatkeqësie natyrore si dhe ka kërkuar në emër të Presidentit trajtimin me seriozitet të shqetësimit te ngritur.

Shaqiri: Rrjedhja e menjëhershme në mediat “lëpirëse” të PPP-ve të Kërkesës për Informacion të Presidentit të Republikës,  me qëllim manipulimin e opinionit publik dhe shmangien e vëmendjes nga skandalet në rritje, dëshmon vetëm mungesën e respektit ndaj shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimit të përgjegjshëm ndërinstitucional.

Këshilltari i Presidentit i ka kujtuar kryeministrit dhe ministrave, se e kanë për detyrë në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, t’i përgjigjen me seriozitet të plotë Presidentit të Republikës.


/Ora News.tv/