Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas monologut të gazetarit Adi Krasta të mbajtur dje në skenën e Teatrit Kombëtar. Sipas kreut të shtetit, Adrian Krasta është përfaqësuesi më i denjë i fjalës dhe i mendimit të lirë.

Ilir Meta: Adrian Krasta është përfaqësuesi më i denjë i fjalës dhe i mendimit të lirë, një nga intelektualët më të shquar dhe zëdhënës i rëndësishëm i opinionit publik e kombëtar, i cili ka spikatur gjithmonë si kritik i pakompromis i abuzimeve me pushtetin në çdo kohë.

Monologu i tij i fuqishëm dhe brilant, në mbështetje të kauzës së mbrojtjes së Teatrit Kombëtar ka marrë dje duartrokitjet e merituara dhe ka bërë jehonë të madhe pikërisht për shkak të fuqisë së fjalës së lirë në mbrojtje të të vërtetave.

Duke e falenderuar me mirënjohje Adrian Krastën për përfaqësimin dhe solidaritetin e shkëlqyer me kauzat qytetare e kombëtare, po ndaj me ju monologun e tij të mbajtur dje në skenën e Teatrit Kombëtar, simbolit frymëzues të rezistencës së popullit ndaj abuzimit me pushtetin.

MONOLOGU I ADRIAN KRASTËS NË SKENËN E TEATRIT KOMBËTAR

 Që nga  koha kur u mendua gabimisht se shoqëria civile korri një fitore të madhe  kundër sjelljes  së plehrave kimike në fillim të kësaj qeverisjeje, nuk  pati ndonjë betejë që të tregojë muskujt dhe zemrën e qytetarit të  zakonshëm, që sillet tej pasionit politik. Qeverisja bëri atëherë një  tërheqje të padëmshme për të dhe njerëzit lanë të lumtur sheshin drejt  padijes së tyre. Sot, plehrat e rrezikshme, inceneratorët, drogat e  forta, trafikantët, bashkiakë e deputetë me rekorde  krimi,  vrasës dhe  dhunues të shëmtuar të grave, janë ulur këmbëkryq në trupin e një  territori të vogël, që e quajmë me hipokrizi Atdhe i dashur e asnjë nerv  lirie, reagimi apo dashurie nuk zgjohet më. Është vdekja e paguar e  shoqërisë civile, për të cilën na u kërkua qysh në krye t’i rrëfenim  atij varrin ku të vendoste lulen e triumfit.

 Por deri para dy  vjetësh... askush nuk mendoi se do të ishte një ndërtesë e lodhur por e  bukur e një kompleksi, ku do të lindte ndoshta kauza më domethënëse dhe  komplekse e 30 viteve të fundit: ajo për ruajtjen nga prishja dhe  plaçkitja e Teatrit Kombëtar të Tiranës  dhe e gjithë Shqipërisë. Është  ai çast kur është kauza që gjen njeriun dhe e kthen në një kudhër  zemërate dhe qartësimi. Në një protestues. 

 Dua t’ju flas se si e shoh unë këtë trini të shenjtë sonte: ndërtesën, njeriun dhe kauzën. 

  Ndërtesa është e hatashme. Ka arkitekturë tipike të viteve ‘30. Bën  pjesë në njollën e vetme jo otomane të Tiranës: atë  europiano-perëndimore. 

 Nuk ka një njeri të mençur në Tiranë që  nuk e kupton se rinovimi i kompleksit “Skënderbeg” me dy salla teatri,  një pishinë, kopshte dhe një ndërtesë shik në fund jo vetëm do t’i bënte  nder kujtesës kolektive dhe emocionit njerëzor, por do të shërbente si  një antidot kundër çmendurisë frymëmbajtëse të qytetit të sotëm. Kjo  kauzë nuk do të ekzistonte nëse nuk do të bëhej menjëherë e QARTË  dhe e  konfirmueshme se teatri si ndërtesë nuk ka as më të voglën rëndësi për  prishësit. Padyshim as ndërtimi i një teatri të ri, që është vetëm  alibi. Është plaçkitja e tokës së tij që vlen. Kullat ishin dhe janë  kali i Trojës së qytetit të sotëm. Sfida që ai bën të krijon një ndjesi  disfatizmi, rënieje, vdekjeje. Ndaj ajo që Aleanca për Mbrojtjen e  Teatrit ka bërë gjatë këtyre dy viteve është sa e madhe, aq edhe e  natyrshme. Te qytetarët që e shohin këtë teatër e këtë skenë çdo ditë me  dashuri e merak duhet kërkuar çelësi për të kuptuar shqiptarin e sotëm.  Te ky teatër janë ngjizur në një: tempulli, njeriu dhe vetë kauza. 

 Të gjithëve na ka bërë përshtypje fraza “kam parë qytet pa bulevard, por nuk kam parë bulevard pa qytet”.

  Në natën neroniane të shkatërrimeve, një natë e Bartolomeut për  stadiumin “Qemal Stafa”, që e nxorën vërtik nga mbrojtja e monumenteve  për të ndërtuar një qendër brutale biznesi me një bahçe të vogël për  kalçeto, ndërtesat e njollës më moderne të Tiranës po bien një nga një.  Ato, të pagoja, jam i bindur se me shpirtin e njerëzve që kanë jetuar,  qeshur, qarë, ëndërruar e janë shuar brenda tyre e kuptojnë se një  skuadër pushkatimi po i shfaros. 

 Teatri Kombëtar duket sikur me  një fuqi shekspiriane të veprave që janë interpretuar këtu, merr  përsipër të frymëzojë kauzën. Kjo kauzë thërret njerëzit. Ata  përgjigjen. Skuadra e pushkatimit e di se të qëllojë teatrin mund të  përshpejtojë në mënyrë të paparashikueshme vdekjen e vetë qëlluesve.  Ndaj kjo betejë nervash, retorikash, durimi, lobimi, argumentesh  juridike e morale zbret në një fushë, e cila është më e  jashtëzakonshmja: koha. Teatri, si një kështjellë, duhet të fitojë kohë.  Rrethuesit pikërisht kohë nuk do të kenë të presin gjatë. Shpejt a  vonë, do të humbin pushtet dhe nëse nuk nxitojnë me dredhi e hile, siç  bëjnë gjithmonë rrethuesit, duke blerë tradhtarë dhe joshur qëndrestarë,  duke sharë e shantazhuar, nuk do të mundin ta prishin kompleksin  “Skënderbeg” për të ndërtuar kullat e premtuara, që bashkë me paratë  shpëlajnë një herë e mirë sqimën qytetare, kujtesën tonë e atë  historike.

 Le të përpiqemi të bëjmë një identikit të rrethuesve.  Ata duket sikur nuk dinë e nuk munden ta duan teatrin si art. As aktorin  si artist. As skenën si vend i shenjtë. Padyshim, publikun e shohin si  një votues militant, idiot dhe pa mendim. Nuk shihen shtresime kulturore  në retorikën e tyre. Një lloj boshi që i dallohet në sy njeriut në  skuadrën e pushkatimit. Sidomos më të riut. Në entuziazmin fake të  servilizmit i dallohet pamundësia për të ndjerë.
Brenda kështjellës  jeni ju. Heronjtë e përditshëm. Ju shoh dhe e ndiej të domosdoshme që  për t’ju lartësuar të përpiqem të lexoj kundërfigurat  tuaja. 

  Ata janë gjithashtu qytetarë të këtij qyteti. Por janë apatikë (të  mundur), të frikësuar. Sidomos të frikësuar. Për ta, fatkeqësisht, rënia  e teatrit nuk është rënia e lirisë, edhe pse ndoshta brenda zërit që  nuk dëgjohet pranojnë se arti është shprehje e lirisë. 

 Ajo që po  ndodh këtu është kjo: qeveria e bashkia duan ta plaçkitin tokën e  kompleksit “Skënderbeg” që të ndërtojnë kulla. Kaq. Është vetëm kaq.  Prandaj është një rrethim këmbëngulës. 

 Ata nuk kanë argument,  por mbi të gjitha nuk kanë kohë. Dhe mungesa e kohës i detyron të bëjnë  artifica politike dhe gabime e gafa konceptuale. Një prej flluskave më  të zhbëshme të hedhura për konsum publik është se disa artistë e  qytetarë të Tiranës nuk e duan zhvillimin. Se pasi Tirana të ndryshojë  plotësisht, duke u çnatyruar përtej njohjes, ata që me kokëfortësi,  zemër të ftohtë kalkulative, hile banale procedurash dhe gënjeshtra të  blera në mediat e tyre sot po sulmohen në publik si lakmitarë e hajdutë,  nesër do të shihen si largpamës e revolucionarë. Kjo është po aq e  pasaktë sa ç’është bosh çdokush që e artikulon si mbrojtje. Ajo që  shohim nuk ka lidhje me stilin arkitekturor, ndërsa te stadiumi nuk ka  lidhje vetëm me plaçkitjen e tokës. Stadiumi i sotëm me emrin e një  kompanie pothuaj turke do mbetet një ndërtesë brutale. Banale. Nuk i  shërben sportit, por biznesit. Dhe është e pabukur.

 Prishja e  teatrit, ndërtimi i kullave aty, prishja e hotelit “Vjosa”, ndërtimi i  ndërtesës së florinjtë te hotel “Tirana” dhe çdo gërryerje e paturpshme e  asaj që Tiranën e ka bërë Tiranë nuk është zhvillim. Është hajdutëri,  lakmi, narcizizëm, abuzim me pushtetin dhe arrogancë. Në këtë algoritëm  mental të qeverisësve të momentit ka gjithsesi një gabim, të cilin duket  se nuk duan ta shohin. E ardhmja mund t’u rezervojë atyre një befasi.  Pavarësisht qetësisë së momentit,  gjithçka që kanë bërë nuk do të  kalojë e pandëshkuar. 

 Ndaj qyteti duhet të rezistojë. Fillimisht nga mbrojtësit e tij më entuziastë, pra heronjtë e tij. Më pas prej të gjithëve ne. 

  Unë kam shumë miq e të afërm, të cilët e di që do të kishin dashur të  ishin këtu sot. Jam i tronditur nga mesazhet e shumta që kam marrë prej  të njohurish e të panjohurish  këto ditë se frika, një frikë e madhe i  pengon të vijnë. E paprecedentë në këtë përmasë dhe e krahasueshme vetëm  me regjime paçavure pushtetesh. Kjo që kanë prodhuar është fatkeqësi e  madhe për ne të gjithë e për këtë vend,  por është edhe ndëshkimi më i  madh për ta. Kjo është arritja e vetme e një mendësie  burracakësh  pushteti, që nuk bënë dot as Shqipërinë e as historinë e tyre. 

  Në qeverisjen e kaluar, ne thamë fjalën tonë me të njëjtin nerv kundër  prishjes së piramidës si pronë e qytetit dhe dëshmi e historisë dhe ajo  është aty ende. 

 Ja ku jemi sërish për të mbrojtur Teatrin  Kombëtar në një qeverisje tjetër. Ku janë ata qindra e mijëra vajza e  djem Tirane që heshtin? Duhet të ndihen keq, jam i sigurt. Në boshin dhe  shungullimën e mendimeve, në vetminë e tyre, larg interesave të kohës,  ata e dinë se kompleksi “Skënderbeg” mund të rinovohej mrekullisht për  t’u sjellë në kohën e lavdishme të ndërtimit.
Dhe po, ka gazetari  të angazhuar pa qenë bythëlëpirëse. Dhe po, mund ta kesh personale kur  pushteti e ka personale. Rrethuesit e kështjellës i përcaktojnë sinorët.  Ata të thajnë puset, të helmojnë ajrin, të mbysin shpirtin e lirë, të  varfërojnë jetën, të zvjerdhin atdheun, të bëjnë të largohesh. Kjo është  personale. Ndërsa të gjithë ata që çirren e bërtasin  për të bërë  vokalin e liderit, për ata do të duhet të ndihet vetëm keqardhje. Është i  rëndë pushtimi i shpirtit. Duhet të jetë si veshja e detyruar e një  këmishe force. 

 Ndërkohë Shqipëria kurrë nuk ka qenë më e sëmurë  se sot. E drobitur nga kanabizimi i territorit të saj dhe dalldia për të  mbjellë e trafikuar. Ajo sot është në vendin e parë në botë për numrin e  azilkërkuesve. Ajo humb çdo vit e çdo ditë pikë në rekorde e statistika  që matin demokracinë. Ajo është ende jashtë e larg Europës. Ajo ka  rritur borxhin. Ajo është ende më e varfra në Europë. Ajo ende nuk po  kupton nëse bandat udhëheqin politikën apo politika udhëheq me banda.  Administrata e saj është militante. Parlamenti i saj është qesharak.  Qeverisja është e paaftë dhe e korruptuar.

 Sot nuk jemi më në momentin e perceptimit. Gjithçka është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm.

  Unë dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj rrezikun  e veçantë, të  paparashikueshëm që sjell segmenti i fundit para lënies së pushtetit.  Është ai kapërcyell kur mund të bëhen krime të mëdha  kundër atdheut me  lehtësinë e papërballueshme të fundit dhe vetëdijes se pushteti nuk të  vjen më kurrë në dorë. Është ai moment që i ka trimëruar edhe më  frikacakët. Një lloj lejeje për të mëkatuar ndërkohë që përgatitet apres  moi le deluge. Ky segment i fundit është fillimi i riharrimit, ndaj  bëhet i rrezikshëm. Sepse nuk ka pika referenciale. Lidhjet me  realitetin janë shkëputur dhe bisedat rreth teje, qeverisësit, janë bërë  pa përmbajtje. 

 Njeriu me pushtetin e segmentit të fundit ka një  boshllëk në sytë e tij. Në zemrën e tij. Gjen një interes të sëmurë e  mbytës tek ata që e rrethojnë. Ndaj Teatri Kombëtar tani është një kauzë  që ka lidhje të fortë me kohën. Duhet të rezistojë në kohë. Në këtë  segment të fundit, si në ditët e fundit të Romës, kur Neroni gjeti  gjithë forcën e zhveshur nga arsyeja për ta djegur. 

 Teatri  Kombëtar i plotëson të gjitha kushtet për t’u urryer nga qeverisja e  sotme. Nga prishja e tij dhe ndërtimi i kullave mund të grabsen 200  milionë euro. Edhe pse rrethuesit nuk e fshehin një gëzim për rrënimin  fizik të tij. 

 Zonja dhe zotërinj, Teatri Kombëtar nuk do të  prishet. Nuk duhet të prishet. Qytetarët e Tiranës dhe të gjithë  Shqipërisë e të Kosovës, shqiptarët në Maqedoni e Mal të Zi dhe në të  gjithë diasporën duhet të bëhen të ndjeshëm. Sot Teatri është Atdheu.


/Ora News.tv/