Ikën me vrap i lyer në gjak, del videoja e shqiptarit që e masakruan në burgun grek

Ikën me vrap i lyer në gjak, del videoja e shqiptarit që e

Mediat greke kanë publikuar pamjet tejet të rënda të momentit kur një i burgosur shqiptar theret për vdekje nga anëtarë të grupeve rivale, po ashtu me origjinë nga Shqipëria.

Viktima është Albert Bako, 37 vjeç, ndërsa lajmi për vdekjen e tij u konfirmua fillimisht më 14 janar të këtij viti nga autoritetet vendase.

Pamjet e siguruara nga gazeta "To Vima" tregojnë viktimën teksa tenton t'i largohet dy autorëve që po mbajnë mjete prerëse në duar dhe që e qëllojnë pa pushim në trup.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në korridoret e burgut numër 8 të Koridhalosit në Greqi, ku i ndjeri sapo ishte transferuar nga një tjetër institucion i vuajtjes së dënimit.

Pavarësisht orvatjeve të tij për të kërkuar ndihmë, skena kaotike mbikëqyret nga oficerët e burgut të cilët nuk ndërhyjnë në kohë për ta shmangur vrasjen e paramenduar.

Filmimi mbyllet me transportimin me barelë të viktimës tërësisht të gjakosur.

37-vjeçari Bako ishte dënuar më herët për një vepër kriminale në nëntor të vitit 2014 kur ai kishte hapur zjarr me armë automatike në një klub në Pire, duke plagosur të paktën 14 persona.

Ai gjithashtu po përballej me një dënim 22 vite burg për tentativën e vrasjes së një avokati në bashkëpunim me persona të tjerë, vepër për të cilën pritej të dilte para gjykatës pesë ditë pas vdekjes.

Në muajt e fundit në burgun e Koridhalosit kanë ndodhur një numër përplasjesh të përgjakshme, ku 26 prej tyre kanë rezultuar në vdekjen e të dënuarve dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, disa prej cilëve shqiptarë.

EMISIONET