I vetëm dhe në gjumë kur ra tërmeti, familja hap dyert e mortit për Kristianin që nuk gëzoi dot lirinë
Kristian Preçi është një nga viktimat e tërmetit që tronditi vendin këtë mëngjes.
Pak kohë më parë emisioni “BOOM” ka ndjekur rastin e tij, pas kërkesës së familjarëve të bindur në pafajësinë e të riut nga Thumana, i cili akuzohej për vjedhjen e një celulari.
Pas investigimit të “BOOM”, hetimet ndaj tij u pushuan dhe Kristiani u lirua.
Gazetarja: Si ndihesh tani që dole dhe je i lirë?
Kristian Preçi: Tani ndihem shumë mirë, sikur të kem lindur për së dyti. Më morën në qf me 5 muaj burg. Erdhën dhe më morën në shtëpi, kam qenë në gjum.
Gazetarët e “BOOM” ishin pranë familjes Preçi e cila ka hapur dyert e mortit.
Xhaxhai i Kristianit: Unë jam xhaxhai i djalit. Kur ra tërmeti dolëm nga shtëpia dhe morëm në telefon për të pyetur, për tu interesuar. Dhe morëm vesh lajmin. Djali ka qenë vetëm në banesë në kat të parë. Janë shembur panelet brenda, tavani, katin e dyt e kanë zënë panelet. Ai ka qenë në divan duke fjetur.
Gjyshja e Kristianit: Unë jam gjyshja e Kristianit. Nipi im ka qenë një djalë shumë i shkathët, shumë i zhdërvjellët. Punëtor, ka punuar tek fabrika e këpucëve në Dërven. Dhe nuk iu kënaq shpirti djalit njëherë.
Ndërkohë që gjyqi për dëmshpërblimin nga privimi për 4 muaj i lirisë së Kristianit vazhdon në Gjykatën e Durrësit, jeta e tij është prerë tragjikisht në mes.