I dënuar për vrasje në Itali, gruaja belge: Burri im është i mrekullueshëm!

Pas një vrasjeje në Itali, ai bëri një jetë të dyfishtë në Geluwe të Belgjikës.

Erjon S., 40 vjeç, ka dalë dje përpara gjykatës në Ypres.

Bashkëshortja e tij nga Geluwe iu drejtua me një letër gjykatës, duke shkruar se "Burri im është një burrë i mrekullueshëm dhe një baba i dashur. Fëmijët e mi nuk e kanë pranë babain e tyre dhe ata qajnë në shtrat gjatë natës. Çdo mbrëmje ai na telefonon dhe na pyet se si ishte dita jonë. Ne vizitojmë burgun çdo javë. Ne e dimë se ai ka bërë gabime, por e dua burrin tim".

Ai rrezikon tre vite burg në Belgjikë për falsifikim dhe dëshmi të rreme, ndërsa në Itali është dënuar me burgim të përjetshëm për përfshirjen në vrasjen e një prostitute 20 vjeçare. Pas krimit, ai u arratis nga Italia bashkë me dy persona të tjerë.

Në Belgjikë, ai mori shtetësinë belge me një emër të rremë dhe një datë të rreme të lindjes. Ai u vendos në Geluwe, ku u martua dhe tani është babai i tre fëmijëve, dy djem dhe një vajzë.

Për nëntë vjet, ai mbajti sekretin brenda vetes, derisa policia e zbuloi. Me sa duket, italianët e kishin identifikuar nga telefonat që kishte zhvilluar.

Ai u transferua në Itali, ku e priti një gjyq i ri. Dënimi u reduktua në 17 vjet dhe u lejua ta kryente atë në një burg belg.

Tani ai duhet të përgjigjet për falsifikim, emërtim të rremë dhe mashtrim.

"Përveç një dënimi me burg, i akuzuari rrezikon të humbasë kombësinë e tij belge", thotë avokati mbrojtës.

Aktgjykimi ndaj tij do të jepet më 12 nëntor.

EMISIONET