I dashur mjek e infermier të kam sharë, por sot është ditë reflektimi

I dashur mjek e infermier të kam sharë, por sot është

I dashur mjek!

I dashur infermier!

Shpesh herë të kam kritikuar, sa herë ke marrë rryshfet, për një shërbim që duhet të ma ofroje falas.

Të kam sharë sa herë ke shkelur betimin e Hipokratit.

Sa herë më ke lënë të pres apo ke abuzuar me ilaçet, sa herë më ke çuar te privati...

Por sot është ditë reflektimi.

Shumë prej jush, emrat nuk ua di, m'u gjendët pranë gjatë këtyre viteve që kam pasi jam kthyer në Shqipëri, e pra, shumë prej jush m'u gjendët pranë pa kërkuar para, sa herë kisha nevojë.

Iu gjendët pranë dhe bëtë maksimumin për gjyshen time, edhe pse gjendja e saj ishte e pashpresë. - Faleminderit!

Sa herë ka qenë nevoja keni bërë maksimumin për prindërit e mi, pa kërkuar asgjë në këmbim. - Faleminderit!

Në tërmetin e 26 Nëntorit ishit heronjtë e heshtur, që nxituat për të shpëtuar jetë njerëzish, kur shumë prej nesh "arratiseshin" në qytete "të sigurta" nga frika. Latë vetëm familjet tuaja, të cilat natyrisht kishin frikë nga toka që vazhdonte të dridhej dhe shpëtuat jetë, dhatë jetë!- Faleminderit!

Në kohën kur ne të tjerët festonim ndërrimin e viteve, ju qëndronit në krye të detyrës, larg familjeve, fëmijëve e të afërmve tuaj. Kujdeseshit për ne. - Faleminderit!

Dhe sot? Sot në kohën e kësaj pandemie vdekjeprurëse, jeni më të ekspozuarit, më të rrezikuarit!

Orë pa fund mes pacientëve e mikrobeve, mes rrëmujës e panikut të përgjithshëm, shpeshherë me mungesë mjetesh të domosdoshme spitalore.

Orë të pafundme lidhjeje, rraskapitje, vetëmohimi dhe rreziku.

Rreziku, se mund të infektoheni apo infektoni prindërit, bashkëshortët apo fëmijët tuaj.

Dhe ju jeni përsëri aty, në krye të detyrës!

Të përgjegjshëm, humanë e tolerantë!

Ndoshta do vendoseni përpara dilemës, si në kohë luftë, se cilin pacient të shpëtoni...

E di, do flisni me logjikë, por do veproni me zemër!

Edhe këtë sprovë do ta kaloni, do ta kalojmë...

E di që kur të kalojë edhe kjo sprovë rraskapitëse, falenderimet për ju asnjëherë nuk do të jenë të mjaftueshme.

Ndoshta nuk do të jenë shpërblime me para.

Gjithsesi pranoni me përulësi Falenderimin dhe ndjesën, për sa herë kam/ kemi shpërthyer mbi ju...

EMISIONET