Juventusi "ngjyrosi" bardhezi Derbin e Italisë.

Kampionët në fuqi të Seria A mposhtën mes vështirësive, 2-1 Interin dhe për Wanda Narën e ka një shkak.

Agjentja dhe bashkëshortja e ish-sulmuesit të Interit, Mauro Icardi ka pohuar se mungesa e argjentinasit, i cili u transferua gjatë verës te Paris Saint Germain i penalizoi zikaltërit.

"Ne e pamë Inter-Juventusin, natyrisht. Në pjesën e parë, dukej se Interit duhej të bënte më shumë. Këtij derbi i mungoi Icardi, që ka shënuar 8 gola në 11 takime kundër Juventusit. Inter ka humbur një sulmues të mirë, të cilit po ia ndjen mungesën si në kampionat ashtu edhe në Champions League,"- u shpreh Nara në "Tiki Taka".

Një deklaratë bombastike kjo nga ana e Wandës, që duket se nuk e ka kapërdirë aspak mirë largimin e Icardit drejt kryeqytetit francez. Argjentinasi u transferua te kampionët e Ligue 1 në formulën e huazimit, me të drejtë blerje në fund të sezonit aktual.

/Ora News.tv/