Hoti: Dialogu me Serbinë s’ka alternativë, unë do ta kryesoj

Hoti: Dialogu me Serbinë s’ka alternativë, unë do ta

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të themeluar Këshillin e Ekspertëve për dialogun me Serbinë. Kryeministri Avdullah Hoti thotë se pavarësisht zhvillimeve të fundit, dialogu nuk ka alternativë dhe se Kosova është e gatshme ta rifillojë këtë proces.

Aktakuza ndaj dy ish-liderëve të UÇK-së, presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, nuk pritet të stopojë dialogun me Serbinë.

Qeveria kosovare në mbledhjen e së mërkurës vendosi të formojë “Këshillin e Ekspertëve për dialogun”, me kryesimin e kryeministrit, Avdullah Hoti.

Shefi i qeverisë tha se Kosova do të jetë e përgjegjshme karshi obligimeve të veta ndërkombëtare.

“Pavarësisht zhvillimeve që ndodhin dialogu nuk ka alternativë. Ne duhet të tregojmë përkushtim dhe gatishmëri si shtet që të hyjmë në këtë proces. Kosova është e përgatitur për këtë proces, është bërë një punë e madhe në qeveritë e kaluara që tash është duke u sistemuar në secilën prej temave të mundshme të dialogut.”

Edhe pse nuk përmenden emrat e këshillit të ekspertëve për dialogun, zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, tregon se trupa do i përgjigjet drejtpërdrejt kryeqeveritarit Hoti, me në krye një koordinator që është edhe këshilltar i tij.

"Këshilli i ekspertëve bën analiza specifike dhe këshillon kryeministrit dhe qeverinë për çështjet e dialogut me Serbinë sipas temave që diskutohet. Përgatit raporte për pozicionin e Kosovës, dokumente analitike, fakto grafikë dhe të tjera sipas nevojës.”

Qeveria e udhëhequr nga LDK-ja por edhe kreu i shtetit, Thaçi, përsëritën këtë javë apelin për unitet politik për tema që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit, me gjithë pretendimet e rënda për krime lufte ndaj çlirimtarëve të atdheut nga ana e prokurorit të Gjykatës Speciale në Hagë.

Nga Beogradi, Aleksandër Vuçiç theksoi të mërkurën se Serbia është e gatshme për dialog me Prishtinën pavarësisht rrethanave, por nuk do të lejojë t'i imponohen zgjidhje nga jashtë.

"Serbia nuk e njeh Kosovën e pavarur, ky është problemi i atyre me ne. Ndërsa problemi ynë është se asnjë nga ta nuk lëviz nga pozicioni i tanishëm, i Kosovës së pavarur. Pala tjetër nuk ka probleme se kanë me vete politikën e Gjermanisë dhe Francës.”

Presidenti serb shtoi në dy-tri ditët që vijnë do bëjë me dije vizita të rëndësishme në Beograd, porse Prishtina për momentin nuk është duke negociuar, dhe është Perëndimi ai që po e shtyn para dialogun në interes të saj.


EMISIONET