Heshtja “mbretëron” në Shqipëri! Elbasani haron “Ditën e Verës”, të pabindurit thyejnë “rregullin”

Dita e Verës është tërësisht ndryshe sot në kohën që po jetojmë, atë të koronavirusit COVID-19. Ne ju sjellim një vëzhgim.  

Elbasan- 14 Mars, “Dita e Verës” në Elbasan! Qyteti i ballokumeve, luleve, karanavaleve, panaireve, qyteti “kryeqytet” i festës, sot si kurrë më parë, është zgjuar i shkretë. Rrugët janë në heshtje, tek-tuk shikon ndonjë qytetar që lëviz, në këmbë ose me biçikletë sigurisht. Ndonjë syresh ka vendosur dhe maskën, ndërsa pjesa më e madhe e popullsisë qëndron në shtëpi, duke shmangur kështu edhe mundësinë e infektimit nga koronavirusit. Mureve të kalasë janë vendosur parrulla që thonë: “Gëzuar Ditën e Verës!”. Por, kuj i urohet gëzuar?!

Askujt, këto mund t`i lexojnë vetëm pak njerëz, në shumicën prej tyre janë punonjës të Policisë apo Ushtrisë që patrullojnë në Bulevardin “Aqif Pasha”, me qëllim zbatimin e urdhrit të shtetrrethimit! Prej sot, dhe Elbasani është zyrtarisht në zonën e kuqe, tek ato qytete të cilët është ndalur gjithçka sikur të kishe shtypur vetëm një buton. Në fakt, këtë buton e shtypi koronavirusi, duke shpërndarë pasiguri, frikë e mbi të gjitha duke na vënë në provë përballë të panjohurës. Kjo është situata në Elbasan, atë që sot do të duhej të ishte kryeqendra e festimeve të “Ditës së Verës”, që në thelb lajmëron lindjen e jetës, në fakt, përballë një virusi të padukshëm, situata është krejt e zymtë.

Vlora- Ashtu si Elbasani edhe në qytetin bregdetar mbretëron heshtja! E zymtë, e frikëshme, aspak normale, por e vërtetë, Vlora është në shtetrrethim. Rrugët janë të zbrazuar, njerëzit kanë zgjedhur të qëndrojnë në shtëpi, pak syresh kanë vendosur të dalin, të thyejnë rregullin. Janë kryesisht ata që duhet të mbrohen më tepër, moshat mbi 50 vjeç, që kanë dalë në rrugë, duke sfiduar! Megjithatë, Vlora, ende pa u shpallur zyrtarisht shtetrrethimi, nisi të zbatonte rregullat e mbrojtjes nga koronavirusi, duke mos dalë në rrugë prej ditës së djeshme.

Fieri, Lushnja, Korça e Pogradeci:

E njëjta situatë. Njerëzit qëndrojnë në shtëpi, bizneset kanë ulur qepenat. Qytetarë të pakët kanë zgjedhur të dalin, dikush për shëtitje, dikush tjetër për të bërë pazare, por numri mbetet sërish i vogël. Tek-tuk ka dhe mjete që lëvizin, ndërkohë që njësitë e shërbimit vijojnë dizenfektimin e qyteteve me qëllim uljen e rrezikut për infektimin nga koronavirusi. Sensibilizimi është maksimal, ndonëse ndonjë kryeneç ka zgjedhur të mos i bindet këshillës për të qëndruar në shtëpi.



EMISIONET