Hasan Lika: Me këto lojtarë arrijmë ngjitjen në Superiore

Hasan Lika: Me këto lojtarë arrijmë ngjitjen në Superiore

Vllaznia është gati dhe të shtunën përballë Korabit në “Loro Boriçi” do të kërkojë 3 pikët e para të kampionatit. Konfirmimin se ekipi është i motivuar për ndeshjen hapëse të kategorisë së parë, e dha vetë tekniku Hasan Lika, në konferecën për shtyp një ditë përpara ndeshjes.

I kënaqur është edhe me blerjet e reja dhe kontigjentit që Vllaznia ka në dispozicion, për të cilët thotë se është e mundur që me ta të arrihet objektivi i daljes në superligë.

“Jam i kënaqur me futbollistët që kemi mbajtur, por edhe ata që kemi afruar, Mendoj se kemi një organikë të kompletuar, për të bërë një sezon të denjë për emrin e Vllaznisë dhe për t’u rikthyer menjëherë në elitë. Gjithsesi, ndonjë riparim të vogël mund ta bëjmë edhe në janar. Jemi gati të zbresim në fushë dhe ta nisim me këmbën e mbarë, duke marrë 3 pikët. Kemi punuar mirë, ndonëse e filluam pak vonë, ndaj edhe kam besim se gjërat do të shkojnë mirë”,-deklaroi Lika.

Për kundërshtarin ka vlerësim maksimal dhe nuk ndalet të komentojë asnjë detaj tjetër që media ka folur këto ditë, si për premion e Korabit, ashtu edhe për kalendarin favorizues që i ka rënë kuqebluve.

Ne jemi Vllaznia dhe do të luajmë çdo takim për ta fituar. Besoj se do t’ia dalim me sukses, që të ngjitemi në Kategorinë Superiore brenda sezonit të parë. Tifozëria është e zhgënjyer dhe me të drejtë, por në një situatë të tillë, mbështetja e tyre është shumë e rëndësishme për ne. Ndaj përveç rezultateve, rikthimi i tifozërisë do të jetë një tjetër sfidë për ne këtë sezon”,-tha trajneri i Vllaznisë.

Në fund e ka një mesazh për tifozerinë, të cilës i kërkon mbështetje. Përtej zhgënjimit të pësuar që për Hasan Likën është i kuptueshëm, ringritja nuk mund të vijë pa përkrahjen e të gjithëve.

Shkodranët presin në shtëpi Korabin, të shtunën në orën 16.00.

EMISIONET