Greva në Francë kundër reformës së pensioneve hyri të hënën në ditën e 40-të, ndërsa qeveria ka treguar se është gati të arrijë kompromis.

Kryeministri francez, Eduard Filip, në një letër drejtuar sindikatave dhe punonjësve tha se mund të tërhiqet nga planet për të rritur moshën e daljes në pension nga 62 në 64 vjeç, ndaj ftoi sindikatat t'i japin fund grevës.

"Ne jemi të vendosur të ndërtojmë një sistem universal pensionesh të drejtë, solid dhe më të kuptueshëm, që eliminimin skemat speciale. Kjo ka për t'u realizuar patjetër, dhe kushdo që po nxit vazhdimin e grevës po i çon njerëzit në një udhë pa krye," shkruan kryeministri Filip.

Greva në kryeqytetin francez ka futur në kaos e paralizuar gjithë sistemin e transportit.

Mijëra avokatë, mësues, sindikata punëtorësh dhe jelekverdhë marshuan sërish në fundjavë për të shprehur kontradiktat e thella me qeverinë.

"Sot problemi real është dyfishimi i kontributeve sociale për firmat ligjore. Kështu ato jo vetëm do të mbyllen, por frika jonë është se më të varfrit nuk do të mund të përfaqësohen më me avokatë," tregon një jurist 33-vjeçar.

Protesta u mbajtën edhe në qytetet e Marsejës, Tuluzës e Lionit, ku pjesëmarrja arriti rreth 150 mijë sipas shifrave të Ministrisë së Brendshme.

Të hënën sindikatat do takohen për të diskutuar pasojat që greva po i shkakton shërbimit hekurudhor vendës dhe mundësitë për bisedime me qeverinë.

/Ora News.tv/