Greqia transferon refugjatët

Greqia transferon refugjatët

Qindra refugjatë që strehoheshin në ishujt grekë janë transferuar në zonat brenda vendit për shkak të mbipopullimit të kampeve. Kushtet në kampin e vjetër të Morias janë cilësuar të ngjashme me ferrin, dhe banorët e kampeve mbeten dyshues se këtë situatë do të gjejnë edhe në vendbanimet e reja.

Porti grek i Pireut priti të hënën qindra refugjatë të transferuar nga kampi i mbipopulluar i Morias në ishullin e Lesbosit.

Më shumë se 450 familjet me fëmijë u nisën me traget në orët e para të mëngjesit duke pasur si destinacion fshatin Vagiohori në provincën greke të Maqedonisë.

22-vjeçarja, Zahra Hoseini, nga Afganistani, pasi kaloi tetë muaj në kamp me burrin dhe fëmijën e saj, tha se ka frikë se kushtet në kampin e ri do të jenë aq të këqija sesa në Lesbos.

"Na janë prerë fuqitë dhe nuk jemi të sigurt për të ardhmen. I falemi Zotit që të na ndihmojë, por të ardhmen nuk e dimë," u shpreh nëna e një djali dyvjeçar.

Greqia mbetet rruga kryesore për në Europë për afro një milion refugjatë dhe emigrantë që nga viti 2015.

Ky fluks i lartë ka ndikuar në epidemitë dhe mbipopullimin e kampeve, ku zonat e planifikuara për 3 mijë banorë numërojnë tanimë mbi 14 mijë të tillë.

Situata me emigrantët mbetet sfidë edhe për një tjetër vend mesdhetar, Italinë.

Udhëtimi me anije nëpërmjet Mesdheut drejt Europës u kushtoi jetën të jetën të paktën 9 emigrantëve në brigjet italiane të Lampeduzës.

22 persona u shpëtuan të hënën nga forcat detare të vendit pas përmbysjes së mjetit të tyre, ndërsa nuk dihet fati i rreth 20 emigrantëve të tjerë që raportohen se ishin në shumicë nga vendet e Afrikës Veriore.

EMISIONET