Autoritetet në Greqi ndodhen në gjendje alarmi, në prag të përvjetorit të revoltës studentore të 17 nëntorit 1973, që gjithmonë është kremtuar nën trysninë e incidenteve të dhunshme.

Përleshje mes anarkistëve dhe forcave të policisë, vandalizma dhe shkatërrime masive të njësive tregtare dhe bankave; ky ka qenë dekori që ka shoqëruar vazhdimisht kremtimet.

Në operacionet e sigurisë janë mobilizuar më shumë se 5.000 efektiva të policisë.

Është përforcuara ruajtja e institucioneve si Radiotelevizioni publik, ministritë, zyra të rreth 50 politikanëve të rëndësishëm, ambasada dhe institute të huaja.

Masat e sigurisë po zbatohen edhe në stacionet e metrosë, ku kontrollohen persona të dyshimtë.

Policia i ka këshilluar qytetarët që deri të shtunën paradite të shmangin qarkullimin me makinë në qendër të Athinës.

Ana zyrtare e kremtimeve të sivjetshme është vënë në pikëpyetje, pasi 70 anarkistë janë ngujuar në korpusin e universitetit politeknik të Athinës, vendi ku kryhen homazhet e përvitshme.

Mes anarkistëve grekë ndodhen edhe të rinj nga vende të tjera të Europës, por edhe të rinj shqiptarë që jetojnë në Greqi, raporton media vendase.

Më 17 nëntor 1973, tanket mësynë në universitetin politeknik për të shtypur revoltën masive të studentëve që protestonin kundër juntës ushtarake që ishte instaluar në vend që prej prillit 1967. Disa studentë dhe qytetarë humbën jetën gjatë asaj revolte.

Revolta studentore kremtohet si ngjarja më kulmore e reagimeve ndaj regjimit të kolonelëve, që u rrëzua disa muaj më vonë dhe në Greqi u rivendosën institucionet demokratike.

/Ora News.tv/