Greqi, sekuestrohen 128 kg kanabis, pranga për tre shqiptarë

Policia greke ka sekuestruar në dy operacione të ndryshme më shumë se 128 kanabis dhe ka vënë në pranga tre shtetas shqiptarë. 

Të dy operacionet janë realizuar paraditen e të premtes nga forcat e njësisë anti drogë të Igumenicës. 

Në rrugën e re nacionale Janinë-Igumenicë, në vendin e quajtur Petusi, policia ndaloi mjetin që drejtohej nga një 30 vjeçar shqiptar. 

Në brendësi të mjetit u gjetën 41 pako me kanabis, me peshë të përgjithshme 77,2 kilogramë. Dy shtetas të tjerë shqiptarë, të moshës 29 dhe 24 vjeç, u arrestuan ndërsa po ecnin me këmbë në afërsi të fshatit Drimitsa. 

Ata mbanin në krahë nga një çantë të mbushur me lëndë narkotike. 48 pakot me kanabis, kishin një peshë të përgjithshme 51 kilogramë. 

Nisur nga fakti se ata u ndaluan rreth 40 kilometra larg vijës së kufirit, po hetohet nëse droga është pjesë e një sasie më të madhe që mund të jetë magazinuar diku në brendësi të territorit grek.

 Përveç drogës dhe automjetit, policia thotë se ka sekuestruar një shumë parash prej 1.370 euro, si dhe tre telefona celular.


EMISIONET