Greqi, moti i ftohtë dëmton prodhimet

Greqi, moti i ftohtë dëmton prodhimet

Moti i acartë që ka zbritur në Greqi ka prekur ndjeshëm prodhimin e frutave dhe të perimeve në vend. Rajonet e gadishullit jugor të Peloponezit, siç është ajo e Megarës në perëndim të Athinës, furnizojnë me prodhime bujqësore 4,5 milionë banorët e kryeqytetit.

Prej më shumë se një jave, këto zona po goditen nga stuhitë, Bora e shkrirë, përmbytjet e fushave nga shirat dhe temperaturat afër zeros, kushte të cilat kanë dëmtuar pa kthim mbjelljet e tyre.

"Moti i ndryshueshëm ka rënduar mjaft prodhimin e zarzavateve përqark Athinës. Ne nuk kemi shumë humbje në fermën tonë, por në bazën e Tivës, pak më në veri, rënia e fortë e temperaturave ka sjelle dëme të mëdha," tregon menaxheri i një ferme bujqësore në Megarë.

Rënia e shpejtë e prodhimit ka shkaktuar rritje të çmimeve. Finoku karakteristik i zonës që mbulon rreth 70 përqind të prodhimit të përgjithshëm të Greqisë, tani po importohet për t'u shitur disafish më shtrenjtë.

"Finoku i Megarës nuk është më në treg, dhe supermarketet po e importojnë nga Italia. Çmimet janë çuditërisht të larta, rreth katër herë më shumë se para Vitit të Ri," shprehet menaxheri i zonës.

Bora e dendur prej fillimjavës ka bllokuar disa akse rrugore malore dhe kombëtare në perëndim e lindje të Athinës ndërsa java e ardhshme pritet të nisë e vrenjtur por pa fenomene ekstreme të motit.

EMISIONET