Grenell mbetet i dërguar i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi

Grenell mbetet i dërguar i posaçëm për dialogun

Richard Grenell do të vazhdojë të jetë i dërguar i posaçëm amerikan për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i tij, Dick Custin.

"Ambasadori Grenell mezi pret që të ndodhin diskutimet e rradhës në kuadër të dialogut, sapo të vendoset përbërja e re e qeverisë", ka thënë Custin.

Më herët, agjencia gjermane DPA raportoi, se Richard Grenell po planifikon që të dorëhiqet nga pozita e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Gjermani.

Ky lajm vjen disa ditë pasi Senati amerikan konfirmoi John Ratcliffe, në postin e drejtorit të agjencisë kombëtare të inteligjencës. Në muajin shkurt, presidenti amerikan, Donald Trump emëroi ambasadorin Grenell ushtrues detyre të shefit të kësaj agjencie.

Nën ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell, Kosova dhe Serbia janë pajtuar në parim për vendosjen e linjës direkte ajrore, Prishtinë – Beograd, si dhe për hapjen e linjave hekurudhore dhe autostradave që do t'i lidhnin jo vetëm këto dy vende, por edhe rajonin me BE-në.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashimi Evropian ka ngecur që nga nëntori i vitit 2018, kur qeveria e mëparshme e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, vendosi një taksë 100 për qind për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Qeveria e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, e hoqi taksën në muajin prill. Vendimi u mirëprit nga institucionet evropiane dhe vendet anëtare të saj.

Por, Shtetet e Bashkuara kërkuan edhe heqjen e masës së reciprocitetit tregtar të cilën e vendosi qeveria Kurti.

EMISIONET