Gjykata italiane vendim për dëmshpërblim milionerë familjes shqiptare

Gjykata italiane vendim për dëmshpërblim milionerë familjes

Gjykata e Vincencës në Itali ka marrë dje një vendim unik në tipologjinë e tij duke dënuar një shtetas italian me një dëmshpërblim maksimal në shumë milionere ndaj familjes së një djali shqiptar, i cili ka ndërruar jetë shumë vite më parë në Shqipëri.

Ekspertët e drejtësisë thonë se është një nga rastet që mund të bëj shkollë në fushën e së drejtës civile.

Ora News ka kontaktuar me znj. Ilda Beqo, avokaten në Itali të familjes shqiptare e cila ka rrëfyer rrethanat e ngjarjes e cila ka ndodhur 15 vite më parë në një qytet në Shqipërinë e Mesme e që për motive privatësie do t'i ruajmë anonimitetin, njëkohësisht dhe familjes.

Më vitin 2003 një shtetas italian gjatë një ekspedite gjuetie ka qëlluar për vdekje me armë gjahu një 15 vjeçar shqiptar.

Pas tre shkallësh gjykimi në Shqipëri shtetasi italian dënohet me tre vjet heqje lirie me akuzën për vrasje nga pakujdesia. Në Shqipëri, ky shtetas nuk ka bërë asnjë ditë burg.

Avokatja Ilda Beqo thotë se më vitin 2009 merr në dorëzim këtë çështje e më 2011 hap gjyqin civil ndaj shtetasit italian duke i kërkuar në emër të familjarëve dëmshpërblim për humbjen e djalit të tyre.

Pas 7 vitesh seanca gjyqësore, gjykata italiane ka marrë dje vendimin duke njohur fajësinë civile të shtetasit italian dhe duke e dënuar me shumën maksimale të përcaktuar nga ligjet italiane për dëmshpërblim ndaj familjes shqiptare.

"Vendim ky i ekzekutueshëm direkt" sqaron avokatja, që do të thotë se familja shqiptare mund të tërheqë menjëherë shumën milionare të vendosur nga Gjykata.

Ky është një nga rastet e rralla kur një shtetas italian dënohet me një dëmshpërblim maksimal sipas ligjeve të shtetit italian ndaj dëmit të shkaktuar në një familje shqiptare që jeton në Shqipëri e mbi të gjitha për një ngjarje të ndodhur në Shqipëri e për të cilën është gjykuar penalisht.

"Vështirësia më e madhe e këtij gjyqi, thotë ajo ishte pikërisht koordinimi i punës për zbardhjen dhe njohjen e akteve të procesit gjyqësor të zhvilluar në Shqipëri me kërkesat e klientëve të saj për të drejtën e dëmshpërblimit për humbjen e djalit të tyre."

Rruga për të pasur një vendim pozitiv nga gjykata italiane nuk ka qenë e lehtë. Nga avokatja Beqo mësojmë se shtetasi italian për ushtrimin e aktivitetit të gjuetisë në Shqipëri ishte i siguruar në një nga shoqëritë më të madhe italiane të sigurimit e cila me anë të avokatit të tyre është përpjekur të hedh poshtë vendimin e dënimit të shtetasit italian në Shqipëri.

Mosnjohja e vendimit të gjykatës shqiptare do të sillte mos të drejtën e zhvillimit të gjyqit civil në Itali.

Me një eksperiencë mbi 10 vjeçare në fushën e së drejtës civile italiane avokatja shqiptare ka mundur jo vetëm të njoh në Itali vendimin e gjykatës shqiptare por dhe t'i njoh familjes shqiptare të drejtën e dëmshpërblimit ndaj humbjes së djalit të tyre 15 vjeçar.

 

EMISIONET