Gjykata e Kurbinit ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për Eduard Lamaj, autorin e vrasjes së Paulin Gjergjit dhe Bujar Likës më 30 maj.

Seanca për caktimin e masës së sigurisë është zhvilluar në ambientet e spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr mjekim pasi mbeti i plagosur gjatë shkëmbit te zjarrit mbrëmjen e 30-majit në Kurbin.

Sipas burimeve para gjykatësit të çështjes, Lamaj është shprehur se ndihet i penduar për këtë krim të rëndë, duke thënë se nuk kishte për qëllim të vriste asnjë person, por vetëm t'i dëmtonte lokalin Ilir Allamanit, personazh me të cilin ka pasur konflikte për shkak të borxheve. 

Pavarësisht pretendimeve të tij, Gjykata e Kurbinit ka pranuar kërkesen e prokurorisë dhe ka caktuar masën e ''Arrestit në burg'' për Eduart Lamajn. 

I riu mbeti i plagosur në këmbë gjatë atentatit ku mbetën të vrarë biznesmenet Bujar Hysenit (Lika) dhe Paulin Gjergjit (Markaj), ngjarje e ndodhur më 30 maj brenda ambjenteve të një hoteli në autostraden Milot-Mamurras.

Autori kryesor i kesaj ngjarje u prangos teksa po merrte mjekim ilegalisht në një klinikë private në Tiranë, teksa u arrestuan edhe dy mjekët që akuzohen se e mjekuan në mënyrë të paligjshme dhe nuk e denoncuan.

Në kërkim janë shpallur dhe tre bashkëpunëtoret e tij, 33-vjeçari Ilir Xhepaj (Likaj), 31- vjeçari Elson (Oltion) Alija (Vlashi) dhe 21-vjeçari Klaudio Perkola. Ky i fundit është djali i një efektivi policie në qytetin e Laçit.

/Ora News.tv/