Në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19 të ndërmarra nga qeveria gjatë gjithë këtyre ditëve, Bashkia Gjirokastër merr përsipër të sigurojë furnizimin me ushqime dhe ilaçe tek dera e shtëpisë për pensionistët kryefamiljarë që nuk i kanë fëmijët pranë tyre.

Në bashkëpunim me njësitë tregtare që janë hapur, supermarkete dhe farmaci, ne do të shkojmë me automjet tek çdo i moshuar që ka nevojë për ilaçe, ushqime apo gjësendi tjetër. Për t’i mbrojtur nga Covid-19, është shumë e rëndësishme që ata të mos dalin nga shtëpia.

Strukturat e bashkise kanë gati një listë identifikuese për pensionistët që jetojnë vetëm në qytet dhe në fshatra. Megjithatë për çdo rast tjetër që lind nevoja, Bashkia Gjirokastër vë në dispozicion tre numra kontakti ku mund të kërkoni ndihmë.

069 62 89 875

069 42 11 457

069 96 05 117

"Lutem në mirëkuptimin tuaj të plotë, që të mos ketë abuzim, informacione të rreme apo situata të tjera të pakëndshme që nuk e ndihmojnë në kapërcimin me sukses të kësaj gjendje. Ne do të verifikojmë në mënyrë rigoroze çdo thirrje për ndihmë që vjen në këto numra. Sipas nevojave që ju keni dhe zonës ku banoni, do të mbërrijë tek ju automjeti me furnizimet përkatëse nga subjektet private (supermarkete, farmaci, furra buke etj). Orientimin e tyre do ta bëjmë ne sipas listave që disponojmë, por edhe sipas ndihmës që do të kërkohet në numrat e mësipërm. E di që është një situatë e vështirë për të gjithë ne, por s’ka rrugë tjetër për të dalë të fituar nga kjo pandemi. Vijoni të qëndroni brenda, lani duart shpesh, kufizoni lëvizjet dhe kontaktet me njerëzit. Frikë aspak, kujdes po" thuhet në njoftim.



/Ora News.tv/