Ish-ministrja e Integrimit, njëherazi ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Klajda Gjosha e ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora u shpreh se dekretet e Presidentit Ilir Meta nuk kanë qenë një fortesë për opozitën.

Sipas Gjoshës, dekretet e Metës kanë qenë fortesë për kombin shqiptar dhe vendimet e tij nuk mund të diskutohen në komisione hetimore.

Gazetari: 13 tetori është fortesa e fundit e opozitës dhe çfarë qëndrimi ka LSI për vendimet e Metës?

Gjosha: Dekretet e Presidentit nuk kanë qenë një fortesë për opozitën. Dekretet e Presidentit duhet të kthehen në ligj. Ata duhet të publikohen në fletoren zyrtare dhe më tej të implementohen sikurse çdo ligj tjetër që ka afatet e tyre për tu vënë në jetë. Është për të ardhur keq që e gjithë klasa politike nuk dakordëson, pavarësisht se në vetëvete të gjithë ata e kuptojnë se një dekret i presidenti duhet respektuar nga të gjitha palët. Dekretet e Presidentit kanë qenë një fortesë e madhe për kombin shqiptar, për t'i dhënë një mundësi qytetarëve shqiptarë për të shkuar në zgjedhje dhe për të gjithë klasën politike për t'u kthyer në jetë normale politike. Tashmë gjithçka po funksionon në anormalitet. Madje edhe institucionet shumë prej tyre janë ilegjitime. Dekretet e Presidentit nuk mund të diskutohen në komisione hetimore, as në rezoluta parlamentare, as nga parti të ndryshme politike që mund të kenë dëshirat e tyre, për të komentuar politikisht. Ato diskutohen dhe janë çështje të vetme të Gjykatës Kushtetuese, që sot që flasim nuk është ngritur. Ky është ngërçi më i madh i shkaktuar Shqipërisë.

/Ora News.tv/