Ndërsa kryeministri Edi Rama zhvillonte takimin e dytë me opozitën parlamentare lidhur me propozimin e tyre për ndryshime kushtetuese, Sekretari për Çështjet Ligjore në PD-së, Çlirim Gjata thotë se këto janë lojëra të kryesocialistit që po tenton me çdo kusht të prishë marrëveshjen politike të 5 qershorit për zgjedhjet.

Në një intervistë për Ora News, Gjata u ndal vetëm te kërkesa për rritjen e pragut në 5% duke u shprehur se duhet të jesh naivë që të besosh se kjo është kërkesë e atyre deputetëve, një pjesë e të cilëve janë kryetarë të partive të vogla, pasi me një prag të tillë nuk hyjnë dot kurrë në Kuvend.

Në njëjtin mendim ndan edhe për ndalimin e koalicioneve zgjedhore.

Çlirim Gjata: Ju mendoni se këta parlamentarë paskan idenë madhore që të heqin koalicionet parazgjedhore, të rrisin pragun 5%. Shumica e tyre janë kryetarët të partive të vogla, partitë e vogla vetëm me koalicion parazgjedhor mund të fusin një apo dy deputetë në parlament. Me prag 5% nuk shkojnë kurrë. Si e kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës për t'ja futur vetes?! A ka njeri që e bëson këtë? Pas tyre është Edi Rama, është dora e Edi Ramës. E ka shkruar dhe ata kanë firmosur. Nuk ka opozitë parlamentare, ka shërbëtorë të Edi Ramës që kërkojnë me nxitjen e tij të ndryshojë gjoja sistemi. U arrit marrëveshja e 5 qershorit ku firmosi edhe opozita parlamentare dhe ka një pikë aty që thotë nuk do të kërkojmë ndryshim sistemi kësaj radhe. E ka firmosur, a bëhet marrëveshje me këta? Pse e firmose? Rama i fut këta për presion. Marrëveshja u përshëndet nga Pompeo. Nëse Rama kërkon të prishë marrëveshjen, do ta prishë me ndërkombëtarët. Ai e di mirë, këto janë lojëra që bën. Sa më shpejt të miratohet kodi i ri aq më mirë është. Çfarëdo metode të përdorë do ti humbë zgjedhjet.

Gjata komentoi edhe arrestimin e ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, pas 8 muajsh në arrati.

Sipas tij, policia ka qenë në dijeni se ai ndodhej në spital por vetëm tani mori urdhrin politik për arrestim.

Çlirim Gjata: Është Edi Rama ai që gjithmonë kur kërkon të gjejë kandidatë, patjetër do të gjejë persona të inkriminuar, mund të fitonte zgjedhjet i vetëm por nuk mund të punojë pa lidhjet e tij kriminale. Është subjekt i ligjit të dekrimninalizimit dhe fakti që nuk e kishte deklaruar është vepër penale më vete. U mjaftuan thjesht me heqjen e mandatit, pastaj pati probleme me Edi Ramën. Kjo tregon ndikimin e Ramës mbi prokurori. Tani 8 muaj ku ishte policia?  Policia e ka ditur ku ka qenë.Por si duket tani mori udhrin, u bë pak e trashë puna e tij. Policia është shndërruar në një institucion politik që zbaton vetëm urdhrat e Edi Ramës.

Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Besjana Kuçana


/Ora News.tv/