Gjakderdhje në Afganistan: Sulmohet spitali i fëmijëve, 13 foshnja dhe gra të vrara

Gjakderdhje në Afganistan: Sulmohet spitali i fëmijëve, 13

Sulmet terroriste dhe në dukje me baza etnike kanë lënë të vdekur me dhjetëra banorë të Afganistanit. Dyshohet se ato janë kryer nga celulat te ISIS-it por deri tani asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë.

Celulat terroriste kanë shkaktuar sërish gjakderdhje në shtetin e Afganistanit, sulme që u kanë marrë jetën dhjetëra qytetarëve në harkun e pak orëve.

Të paktën 13 foshnja, gra e infermiere mbetën të vrarë të martën në një shtëpi lindjeje në kryeqytetin Kabul.

Tre persona të armatosur mësynë në ambientet e shtëpisë së lindjes duke hapur zjarr e duke lëshuar granata papritur për minuta me radhë.

Forcat e sigurisë iu kundërpërgjigjën sulmit duke ekzekutuar një nga agresorët ndërsa pacientë dhe stafi mjekësor tentonin t'i shmangeshin përplasjes duke u larguar në godinat ngjitur.

"Burra me uniformë policie erdhën dhe filluan të qëllojnë ndaj rojave dhe grave në hyrjen e spitalit."

"Po qëllonin ndaj kujtdo në spital pa një arsye," treguan dëshmitarët okularë.

Ndërkohë, më herët gjatë ditës, një sulm kamikaz vrau 24 persona dhe plagosi afro 70 të tjerë teksa merrnin pjesë në funeralin e një zyrtari të lartë të policisë.

Ceremonia në qytetin e Xhalalabadit po ndiqej edhe nga qeveritarë të vendit.

Talibani, një lëvizje fundamentaliste myslimane e cila lufton shpesh ndërmerr sulme kundër forcave në pushtet, e mohoi përgjegjësinë e sulmeve.

Në zonën ku lokalizohej spitali i fëmijëve, ndërkaq, strehohen shumë pjesëtarë të minoritetit shiit mysliman që janë prej kohësh në shënjestrën e militantëve të Shtetit Islamik.

Muajt e fundit, celula të ISIS-it janë riaktivizuar në kryeqytetin afgan duke ndërmarrë një sërë sulmesh, si ndaj Talibanit, edhe ndaj forcave qeveritare e atyre të huaja.

EMISIONET