Partizani e mbylli me humbje fazën përgatitore në Turqi, ku u mposht nga Dinamo Zagreb me rezultatin 2-1.

Por pavarësisht kësaj humbje, trajnerin Skënder Gega e ngrohin paraqitjet e të besuarve të tij në fushë, ku morën 2 barazime përballë skuadrave të Superligës turke, si Sivasspor dhe Antalyaspor. Për faqën zyrtare të Partizanit, trajneri Gega u shpreh:

"Jemi jashtëzakonisht të kënaqur për punën, kushtet. Realisht çdo gjë ka shkuar mirë. Shpresoj që kjo të na shërbejë kur të kthehemi në Shqipëri dhe ta nisim kampionatin me hapin e duhur, me ritmin e duhur. Deri tani skuadra është paraqitur relativisht mirë. Kemi bërë dy seanca stërvitore pasi kemi dashur të impeniohemi maksimalisht, të rikuperojmë sepse patëm 2 faza mjaft të lodhshme e të vështira, aq më tepër që je kryesues dhe duhet të mbash atë ritëm. Jam jashtëzakonisht i kënaqur nga stërvitja, nga impenimi, nga disiplina. E shoqëruar edhe nga kushtet që të jep Turqia. Kushtet janë jashtëzakonisht të mirë.

"Pasqyrat ishin 3 ndeshjet miqësore me ekipe shumë të mira. Për mua nuk është i rëndësishëm vetëm rezultati, por performanca dhe paraqitja e tyre, për të krijuar ide të qarta për mënyrën e lojës. Në ndeshjet miqësore, qëllimi kryesor është të luhet mirë futboll, të paraqitesh mirë. Të punosh në detajet që ke nevojë. Të ndërtosh një strategji. Besoj se jam i kënaqur. Do kemi kohë. Urojmë që të adoptohen sa më shpejt lojtarët.

"Duhet të ndërtojmë një mentalitet që të vlerësojmë çdo ndeshje dhe të shikohet çdo gjë me seriozitet. Kupa është një nga qëllimet tona. Do mundohemi të marrim maksimumin. Shpresoj të ndërtojmë një mënyrë lojë si dhe t’iu japim hapësirë lojtarëve që nuk kanë pasur shumë minuta në kampionat. Një përqindje shumë e madhe e suksesit ose punës të filluar nga ne, janë tifozët. Ata janë përkrahësit tonë të jashtëzakonshëm. Është luks dhe privilegj të kesh gjithë ata sportdashës që nuk i ndahet ekipit. Mesazhi im është qe jemi në rrugën e duhur dhe atë që kemi do e japim në fushë. Duam mbështetjen e tyre. Pa ata do të kemi shumë mangësi. Gjithsesi t’ia lemë kohës. Shpresoj që t’ia shpërblejmë!"-përfundoi Gega.


/Ora News.tv/