"Martesa" e Leonardo Bonuccit me Milanin duket se do të zgjasë vetëm 1 sezon. I ardhur me shumë bujë nga Juventusi, mbrojtësi italian duket se do të nisë një aventurë të re, jashtë italisë.

Sipas “Le Parisien”, skuadra kampione e Paris Saint Germain është shumë pranë nënshkrimit me mbrojtësin e Milanit. Mësohet se vetë lojtari ka dhënë “OK” për të shkuar në Ligue 1, duke ndjekur ish-shokun e skuadrës Gigi Buffon, që gjithashtu ka ndikuar në këtë transferim, duke e bindur mbrojtësin.

Kështu, PSG dhe Bonucci kanë arritur marrëveshjen, ndërkohë që pritet edhe konfirmimi nga ana e skuadrës së Milanit, që para një oferte prej 40 milionë eurosh është gati të japë “dritën jeshile”. Ky transferim do të ishte vërtet një surprizë edhe pse për mbrojtësin janë interesuar mjaft ekipe të mëdha të Europës.

Lënia jashtë e Milanit për një sezon nga Kupat e Europës duket se ka ndikuar në këtë vendim të mbrojtësit, që kërkon të fitojë Champions League dhe ka të gjitha mundësitë që këtë gjë ta bëjë me skuadrën e PSG-së. Ditët në vijim pritet që marrëveshja të zyrtarizohet.

/Ora News.tv/