Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ishte i pranishëm në një ceremoni dhurimi gjaku nga personazhe të njohur në vend nga arti dhe gazetaria. Gjatë fjalës së tij, presidenti Meta nxiti dhurimin e gjakut si një akt human, ndërsa theksoi se shqiptarët katakterizohen historikisht nga solidariteti.  

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mori pjesë në një seancë të dhurimit të gjakut nga artistë, gazetarë e figura të shquara publike, të organizuar nga Kryqi i Kuq Shqiptar në kuadër të nismës së ndërmarrë nga “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.

Meta vlerësoi vendimin e personaliteteve që iu bashkuan me vullnetarizëm kauzës jashtëzakonisht humane të dhurimit të gjakut.

Meta: Me aktin e tyre, për t’iu bashkuar “Aleancës së Dhurimit të Gjakut”, ata treguan edhe sot se përfaqësojnë denjësisht vlerat tona më të mira kombëtare, humanizmin dhe solidaritetin, vlera që ne i kemi në genet tona. Prandaj e theksoj gjithmonë se Shën Nënë Tereza nuk është rastësish shqiptare. Shqiptarët i kanë këto vlera, por kemi nevojë gjithmonë t’i zhvillojmë, t’i rizgjojmë sepse në këtë mënyrë do të garantojmë, përmes një procesi të sigurtë, dhurimin plotësisht mbi baza vullnetare të gjakut.

Kreu i Shtetit bëri apelin publik për ndërgjegjësimin e qytetarëve shqiptarë dhe institucioneve që të dhurojnë gjak e të shpëtojnë jetë njerëzore në shenjë humanizmi e solidariteti.

/Ora News.tv/