Fuqia e votës së emigrantëve, Kume: Ja ku duhet të bëjnë kujdes partitë

Fuqia e votës së emigrantëve, Kume: Ja ku duhet të

Ish-kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, është optimist se nëse vijohet me këtë ritëm dhe ka vullnet politik, reforma zgjedhore mund të përmbyllet në vjeshtë, siç është parashikuar.

Kristaq Kume: Komisioni i reformës zgjedhore është në punë të plotë dhe kanë deklaruar se gjithë kjo punë duhet të përfundojë në shtator. Nëse ecet me këtë ritëm që po punon komisioni i reformës zgjedhore dhe mbështetësit e tij, gjithë grupi i ekspertëve, me vullnet të mirë politik gjithmonë, rezultati arrihet në këtë kohë. E rëndëishme është të realizohet me cilësi.

I ftuar në intervistën e mbrëmjes në Ora News, Kume thotë se depolitizimi i administratës zgjedhore është e rëndësishme por jo çelësi i artë për të garantuar një proces të ndershëm zgjedhor.

Kristaq Kume: PS para dy ditëve përmes bashkëkryetarit të Komsionit Çuçi ka deklaruar se është e gatshme të bëjë depolitizimin e plotë të komisioneve zgjedhore, edhe PD nuk është shprehur kundër por ka këmbëngulur dhe ashtu duhet, që të gjendet zgjidhje për të cilën të dy palët të bien dakord.

Duhet parë se cila rrugë do të jetë ajo që do ta realizojë këtë gjë dhe çdo kërkojë që të bëhet derisa të realizohet vërtet në praktikë një ndryshim i tillë që të kemi një administratë profesionalisht të përgatitur. Kjo është një faktor, nuk është faktori kryesor. Procesi është shumë kompleks. Ky ndryshim nuk është se do të jetë çelësi i artë që pas saj do të na bëjë të mos kemi probleme në procesin e administrimit zgjedhor sepse komisionerët nuk do jenë të varur nga partitë politike.

Sa i takon garantimit të votës së emigrantëve, Kume thotë se ky akses u duhet dhënë për zgjedhjet e përgjithshme.

Por, shton ai, palët duhet të gjejnë një zgjidhje të gjithëpranuar në mënyrë që nesër të mos e përdorin si sebep për të kontestuar rezultatin.

Kristaq Kume: Problemi i votimit të shtetasve që jetojnë jashtë vendit për zgjedhjet lokale, nuk ka pse tu krijohet mundësia. Problemi i votimit të shqiptarëve jashtë shtrohet dhe u duhet dhënë zgjidhje vetëm për zgjedhjet e përgjithshme. Nuk mjafton vetëm vullneti politik por ky vullnet politik i shprehur duhet të plotësohet me analiza të cilat të kenë si rezultat atë se çfarë procedurash duhet të realizojmë për ta mundësuar këtë gjë.Si do ta bëjmë konvertimin e këtyre votave, çfarë fuqie do ketë? Por këmbëngul që të gjejnë atë zgjidhje që nesër mos të konsiderohet kjo mënyrë e të votuarit si sebek për të atakuar procesin, rezultatine  procesit zgjedhor.

Kume thotë se edhe ligji aktual zgjedhor nuk është i keq por zbatimi i ligjit ka krijuar gjithmonë probleme.



EMISIONET