FSHF, takim me "Tifozët kuqezi" dhe policinë e shtetit, Duka: Bashkëpunimi e ndihmon kombëtaren

FSHF, takim me "Tifozët kuqezi" dhe policinë e shtetit,

Këtë të shtunë, në zyrat e Federatës së Furtbollit është realizuar një takim i posaçëm, mes presidentit të FSHF-së, Armand Duka dhe një përfaqësie të "Tifozëve Kuqezi" dhe policisë së Shtetit.

Një nismë e cila do të vijojë edhe më tej, gjithmonë në kuadër të një klime shumë më të mirë bashkëpunimi, por edhe në shërbim të mbarëvajtjes dhe të sigurisë gjatë ndeshjeve të ekipit kombëtar.

Presidenti i FSHF-së z.Duka, së bashku me zyrtarët e Policisë së Shtetit, dhe përfaqësuesve të grupimit “Tifozat Kuqezi” gjetën dakordësinë e tyre të plotë për shumë pika diskutimi të cilat lidhen direkt me raportin federatë-polici-tifozeri, për të qenë gjithmonë në një atmosferë ku manifestimet në stadium të jenë korrekte.

"Besoj se ishte një takim i domosdoshëm me grupimin e tifozëve dhe përfaqësuesit e policisë për ato kërkesa që kanë tifozët, si për ndeshjet e kaluara, ashtu edhe për vijimësinë, për sjelljen e policisë dhe organizimin e ndeshjeve. Ishim me një qëllim të përbashkët për të ndihmuar kombëtaren. Besoj se tashmë jemi në një klimë të re për ti bërë gjërat sa më mirë. Ndoshta nuk mund ti arrijmë në 100%-shin ideal, por do ti bëjmë shumë më mirë dhe besoj se tifozët do të jenë në stadium në të ardhmen. Ata kanë kërkesat e tyre, apo pengesat, por ato duan të jenë në stadium dhe besoj se do jenë rregullisht. Policia nga ana e saj garantoi sjellje korrekte, me pak prezencë, ose dhe fare prezence në tribuna, por nuk mund të premtonte më shumë se sa zbatimi i ligjit në mënyre korrekte. Dhe për këtë, mirëkuptimi do të jetë i gjithëanshëm. Tifozët kërkojnë të mos ketë dënime kolektive, por dënime për individët e caktuar, në një kohë që paraqitën edhe kërkesat e tyre karshi FSHF dhe Policisë së Shtetit”.

Pas këtij takimi që rezultoi i frytshëm për të gjitha palët, tifozeria pritet të kthehet në stadium për të mbështetur kombëtaren kuqezi. Si për ironi të fatit mbështetësit e kombëtares pritet të kthehen në stadium pikërisht nga kombëtares izraelite, që ishte dhe shkak i kësaj krisjeje të marrëdhënieve polici-tifozët kuqezi.



EMISIONET