Frika për një valë të dytë të Covid-19 rrit vlerën në bursa të arit dhe ul çmimin e naftës

Frika për një valë të dytë të Covid-19 rrit

Metalet e çmuara janë ndër produktet që po marrin më shumë vlerë në kohën kur mendohet se botën së shpejti e pret një valë e dytë e epidemisë së koronavirusit. Në bursa, ari ka rifituar qindra dollarët e humbur nga muaji mars, ndërsa konsumi i hidrokarbureve po përmirësohet.

Frika e shpërthimit të një vale të dytë epidemike nëpër botë ka rritur vlerën në bursa të metaleve të çmuara pasi ato shihen si alternativë më e sigurt investimi për të ardhmen.

Teksa bilanci i viktimave të kovidit të ri u rrit të mërkurën mbi 100 mijë në Amerikën Latine, kur Bashkimi Europian njoftoi mundësinë e ndalimhyrjes për shtetasit nga Amerika, Brazili dhe Rusia për shkak të epidemisë, dhe kur janë rivënë në dyshim raportet tregtare mes Uashingtonit dhe Pekinit, në tregjet financiare vlera e arit preku gjatë ditës nivelin më të lartë të 8 viteve të fundit.

Floriri u shit me gati 1.800 dollarë për ons në bursa, pasi arriti minimumin afro 350 dollarë më lirë në muajin mars, me shpalljen e pandemisë globale.

Argjendi gjithashtu shënoi shifra pozitive të mërkurën duke prekur pragun e 18 dollarëve për ons, metalet si paladi, 1.950 dollarë dhe platini disi më ulët në vlera ditore, rreth 840 dollarë për ons.

Mbivlerësimi i metaleve të çmuara javët e fundit i atribuohet uljes së dollarit por edhe politikave stimuluese që po aplikojnë bankat qendrore në botë.

Me reduktimin e normave bazë të interesit shpresohet se do të riaktivizohen bizneset, vendet e punës dhe do të mund të dilet nga recesioni i thellë që ka shkaktuar kovidi i ri.

Ndërkohë për sa i përket arit të zi, zhvillimet e fundit me epideminë dhe spekulimet për ekonominë ulën vlerën e naftës nga dita e mëparshme.

Nafta bruto e standardit europian Brent zbriti poshtë 42 dollarëve për fuçi ndërsa në Nju-Jork, vlera e naftës paradite qëndroi 1 për qind e gjysmë më ulët në afro 39,5 dollarë fuçia.

Mësohet se në botë janë rritur rezervat e naftës bruto të magazinuar, por po përmirësohet edhe konsumi për hidrokarbure me heqjen e kufizimeve disamujore pë shkak të kovidit të ri.

EMISIONET