Është mbyllur mbrëmjen e sotme xhiro e parë e takimeve të grupeve të UEFA Champions League. Plot 16 takime, ku nuk munguan rezultatet befasuese. Pak minuta më parë u mbyllën takimet e grupit A, B, C dhe D, të cilat prodhuan këto rezultate.

Paris Saint Germain nuk zhgënjeu përpara tifozëve të saj, teksa mposhti pastër 3-0, favoritin kryesor, Realin e Madridit. 13 herë kampionët e Europës po vuajnë shumë në këtë start të sezonit dhe kjo u vu re dhe në "Parc des Princes". Heroi i takimit ishte pikërisht një "ish", me Angel di Maria që shënoi një dopietë ndërkohë që ishte Meunier që vulosi shifrat në 3-0 në minutën e 90'.

Nga ana tjetër, spanjollët u munduan të reagojnë, por rrjeta e Gareth Bale u konsiderua si e parregullt, me kryesorin që u konsultua edhe me sistemin VAR. Pas kësaj fitoreje, grupi A kryesohet pikërisht nga PSG me 3 pikë, ndjekur nga Club Brugge dhe Galatasaray me 1 dhe Reali në kuotën e zero pikëve.

Bayern Munich mori frenat e grupit B. Gjermanët kaluan pastër 3-0 Crvena Zvezdën, duke u ngjitur në krye të grupit me 3 pikë. Coman, Lewandowski dhe Muller realizuan golat e fitores, për të lënë pas krahëve, skuadra si Tottenham Hotspur dhe Olympiacos, që barazuan mes veti 2-2 dhe ndodhen në kuotën e një pike.

Grupi C ishte ai që prodhoi më shumë gola. Dinamo Zagreb merr komandën pas fitores 4-0 ndaj Atalantës, teksa Manchester City i dha leksione futbolli ukrainasve të Shakhtar Donetsk. Të besuarit e Pep Guardiolës triumfuan me shifrat 3-0, falë golave të Mahrez, Gundogan dhe Gabriel Jesus. Pas javës së parë, Dinamo e City ndodhen në kuotë të njëjtë pikësh,  tre.

Rezultat i barabartë në kryesfidën e javës së parë. Atletico Madrid barazoi në limitet e kohës së rregullt 2-2 ndaj Juventusit, duke prodhuar edhe emocionet e para të turneut. Golat e Cuadrado dhe Matuidi u duken se ia bënë të lehtë bardhezinjve, por djemtë e drejtuar nga Simeone nuk u dorëzuan.

Savic fillimisht dhe Herrera ia dolën për t'i shkëputur një pikë kampionëve të Seria A. Në takimin tjetër të këtij grupi, Lokomotiva e Moskës mposhti 2-1 Bayer Leverkusen. Krychowiak kaloi në avantazh rusët, teksa Barinov bëri të pavlefshëm autogolin e Howedes.























/Ora News.tv/