U luajtën takimet e raundit të dytë të fazës së grupeve të UEFA Champions League, ku nuk munguan surprizat. Në stadiumin "Tottenham" të Londrës, Bayern Munich shkatërroi me shifrat e thella, 7-2 nënkampionët në fuqi, Tottenham Hotspur.

Heroi i takimit ishte sulmuesi i ri, Gnabry, i cili për 35 minuta lojë arriti të shënojë 4 herë. Festivali i golave nisi që në minutën e 12-të, aty ku Son Heung-Min kaloi në avantazh londinezët. Gjithsesi, Kimmich dhe Lewandowski përmbysën gjithçka në favor të Bayern, duke krijuar idenë e një fitore spektakolare të tyre.

E në fakt kështu rezuloi. Në pjesën e dytë, Gnabry shënoi brenda dy minutash dy herë, teksa Kane dërgoi shifrat në 4-2. Megjithatë, golat nuk kishin mbaruar. Gnabry në të 83-ën, Lewandowski në të 87-ën dhe një minut më pas sërish Gnabry vulosën fatet e takimit dhe rezultatin final në 7-2. Kjo fitore i ngjit gjigantët e Bundesligës në krye të grupit B me 6 pikë, ndjekur nga Crvena Zvezda, e cila fitoi po me përmbysje, 3-1 ndaj Olympiacos.

Në grupin A, Paris Saint Germain mori një tjetër fitore për tu ngjitur e vetme në krye të grupit me 6 pikë. Mauro Icardi shënoi golin e vetëm dhe të parin me fanellën e francezëve, të cilët mposhtën minimalisht, 1-0 Galatasaray.

Stërling dhe Foden i dhanë fitoren 2-0 Manchester Cityt, që mposhti në "Etihad Stadium" Dinamo Zagreb, duke marrë e vetme kreun e grupit C me 6 pikë.

Fitore komode për Juventus dhe Atletico Madrid, që morën pikë të plota respektivisht ndaj Leverkusen e Lokomotiv Moskë. Për torinezët, të cilët fituan me shifrat 3-0 shënuan Higuain, Bernardeschi dhe Ronaldo, ndërsa për spanjollët realizoi i talentuari Felix e Thomas. Tashmë grupi D kryesohet nga Juventus me 4 pikë, aq sa Atletico e Madridit. Ndërkaq, Lokomotiva mban vendin e tretë me 3 pikë.























/Ora News.tv/