SHBA zhbllokon fondet e Sfidës së Mijëvjeçarit” për Kosovën, hoqi reciprocitetin

SHBA zhbllokon fondet e  Sfidës së Mijëvjeçarit”

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, në mbledhjen e kabinetit qeveritar ka falenderuar Amerikën për zhbllokimin e fondeve të “Sfidës së Mijëvjeçarit”. Ai tha se pjesa e dytë e programit do të shërbejë për ndërtimin e një tubacioni gazi që e lidh Kosovën me infrastrukturën rajonale të gazit. Ndërsa për Kryetarin e Komitetit për Punë të Jashtme pranë kongresit amerikan, Eliot Engel, ngrirja e këtyre fondeve nuk duhej të ishte bërë.

Zhbllokimi i fondeve nga organizata amerikane “Sfida e mijëvjeçarit” është përshëndetur këtë të dielë nga kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, Hoti tha se shtylla e parë e këtij programi është një marrëveshje me vlerë prej 49 milionë dollarësh, të cilët do të investohen nga muaji korrik i këtij viti.

Pjesa e dytë e këtij programi do  të shërbejë për të diversifikuar peizazhin energjetik të Kosovë, tha kreu i ekzekutivit.

Sa i përket zhbllokimit të fondeve të organizatës “Sfida e Mijëvjeçarit”, ka reaguar edhe Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve amerikanë, Eliot Engel. Sipas tij, ngrirja e fondeve për Kosovën është kundër asaj për të cilën vet është themeluar.

“Jam i kënaqur që “Sfida e Mijëvjeçarit” ka rifilluar punën në Kosovë. Nuk do të duhej fare që t’i pezullonte fondet. Kosova kishte përmbushur kriteret e vështira të “Sfidës e Mijëvjeçarit”. Ngrirja e fondeve për ta detyruar Kosovën që të ndryshojë politikat, është kundër asaj që vet “Sfida e Mijëvjeçarit” qëndron”, ka shkruar Engel në Twitter.

Këto fonde janë zhbllokuar pasi qeveria Hoti ka hequr masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, të vendosura më herët nga ish-kryeministri Kurti.

EMISIONET