Vazhdon fluksi emigrues i shqiptarëve drejt vendeve europiane. Në Itali ku jetojnë rreth 440 mijë emigrantë shqiptarë është regjistruar një fluks jo indiferent i tyre gjatë dy viteve të fundit.

Ka shënuar reduktim në krahasim me tre vitet e fundit numri i shtetasve italianë e të huaj që kanë fshirë rezidencën e tyre të banimit në Itali e janë transferuar në Shqipëri.

Në Raportin e sapo publikuar nga Instituti Italian i Statistikave, ISTAT, është dokumentuar një rritje me 16% e numrit të shqiptarëve që emigrojnë drejt Italisë.

Në Raportin "Regjistrimi e fshirja e të dhënave personale të popullsisë rezidente", i cili përmban të dhënat zyrtare në nivel kombëtar të numrit të emigrantëve të regjistruar në zyrat e gjëndjes civile, thuhet se gjatë vitit 2018 në Itali janë regjistruar 18 mijë emigrantë të rinj shqiptarë.

Në krahasim me vitin 2017, numri i tyre është rritur me 16% . "Një shtim i fortë në krahasim me një vit më parë" thekson Instituti Italian i Statistikave. Të dhënat e raportit dokumentojnë se fluksi i emigrantëve të rinj nga Shqipëra në Itali për vitin 2018 ka rritjen më të madhe në krahasim me të gjitha komunitetet e tjera të huaja në vend.

Dhe pse numri i emigrantëve të ardhur nga Rumania është më i lartë se ai i shqiptarëve, pra rreth 37 mijë, kjo shifër në krahasim me një vit më parë kë shënuar një reduktim me -10% për emigrantët e rinj rumunë.

Po ashtu dhe emigrantët nga Ukraina ku për vitin 2018 janë regjistruar rreth 8 mijë hyrje të reja por me një reduktim me -2% në krahasim me vitin 2017.

Raporti "Regjistrimi e fshirja e të dhënave personale të popullsisë rezidente" jep të dhëna interesante dhe për numrin e shtetasve italianë, shqiptarë e të huaj që kanë emigruar në drejtim të kundërt nga Itali në Shqipëri përgjtë vitit 2018.

Sipas raportit në vitin 2018 kanë fshirë rezidencën e tyre në Itali e janë transferuar në Shqipëri 197 shtetas italianë. Në krahasim me vitin 2016 numri i italianëve që vendosin të trasferohen për të jetuar në Shqipëri, është reduktuar nga 237 në 197 e në vitin 2017 numri i tyre ishte 193.

Në vitin 2018, 1135 shtetas të huaj kanë fshirë rezidencën e banimit në Itali e janë transferuar në Shqipëri. Numri i tyre është tkurrur në krahasim me vitin 2017 kur janë regjistruar 1283 emigrantë të rinj nga Italia në Shqipëri, e 1394 në vitin 2016.

/Ora News.tv/