Flet ministri kosovar, Vesel Krasniqi: Serbia e ka humbur tregun kosovar

Flet ministri kosovar, Vesel Krasniqi: Serbia e ka humbur tregun kosovar

Periudha pas reciprocitetit me Serbinë dhe pandemia e kovidit kanë lënë pasoja në ekonominë e Kosovës. Prodhuesit vendorë po përfitojnë nga situata me fqinjin në veri, ndërkohë që bizneset e tjera shpresojnë rimëkëmbjen nga paketa mbështetëse e qeverisë Hoti.

Ishte muaji qershor kur qeveria e re e Kosovës vendosi të heqë masën e reciprocitetit me Serbinë, të aplikuar nga ish-kryeministri Albin Kurti në vijim të tarifës doganore 100 për qind.

Por Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, deklaron se me rënien e importeve, fqinji verior duket se e ka humbur tani tregun kosovar.

Në muajt e kaluar furnizimet ushqimore nga Serbia janë reduktuar përgjysmë krahasuar me periudhën e njëjtë të viteve më parë, situata nga e cila kanë përfituar bizneset vendore.

"Sigurisht që taksa e ka bërë efektin e vet për faktin se, edhe pse ka qenë një vendim politik, ka ndikuar pozitivisht tek qytetarët dhe ka mundësuar që të rritet konsumi vendor në vendin tonë... bizneset tona kanë krijuar ura të tjera të furnizimit të produkteve me shtete të tjera... Serbia e ka humbur tregun, nuk e ka më treg Kosovën, për faktin se edhe prodhuesit vendorë kanë arritur t’i shtojnë kapacitetet e tyre dhe të zëvendësojnë me ato produkte tregun vendor."

Duke u ndaluar te pandemia e koronavirusit dhe te masat e reja të Qeverisë për rikthimin e lëvizjeve të kufizuara në komunat më të rrezikuara, në intervistën për Kosovapress ministri Krasniqi thotë dhe se mbyllja e aktiviteteve tregtare në harkun kohor 21 deri në orën 5 të mëngjesit, është gjetur për t'i dëmtuar më pak bizneset.

Ai pohon se pandemia ka pasur tejmase impakt, duke i shtyrë sipërmarrësit edhe në faliment.

 “Nëse do të ketë rikthim 100 përqind të masave për luftimin e virusit Covid-19, sigurisht që e paralizon ekonominë e vendit, edhe ashtu ne kemi një ekonomi jo aq të zhvilluar, e sigurisht që e dëmton bukur shumë... Jemi duke lutur qytetarët që t’i përmbahen masave bazike, për të mbajtur maskën, distancën, higjienën dhe në këtë formë nuk do të vijmë në këtë situatë.”

Periudha e parë e pandemisë së covidit në Kosovë nxori në pasivitet afro 80 për qind të bizneseve, por tani ministri i Tregtisë, Krasniqi, beson se me programin për rimëkëmbje ekonomike pjesa më e madhe e tyre do të përfitojnë në mënyra të ndryshme.

Inspektorati i tregut dhe ato komunale planifikojnë ngritjen e një task-force për të inspektuar bizneset e gastronomisë dhe qytetarët në vend për masat anti-covid, teksa sëmundja në vend ka infektuar mbi 3,700 mijë persona e ka vrarë deri tani 79 prej tyre.

EMISIONET