Flamurtari pret Luftëtarin, Daja e Kotobelli njëzëri: Duam 3 pikët

Flamurtari pret Luftëtarin, Daja e Kotobelli njëzëri: Duam 3

Flamurtari kërkon konfirmimin në Vlorë përballë Luftëtarit në një ndeshje delikate. Kuqezinjtë regjistruan një fitore minimale në fazën e parë, por me ndryshimin e trajnerit tek gjirokastritët ka një frymë tjetër. Rezultatet e arritura në javët e fundit kanë rritur entuziasmin tek vlonjatët por trajneri Ilir Daja kërkon të ul euforinë, duke e cilësuar Luftëtarin si kundërshtarë shumë të vështirë.

"Jemi munduar që të jemi me këmbë në tokë sepse të gjithë e dimë që nëse në 3 javët e fundit kemi bërë rezultate pozitive, një element kryesorë ka qënë motivimi maksimal, bashkëpunimi mes gjithë lojtarëve për të shkuar tek rezultatet pozitive, gjë të cilën do mundohemi ta bëjmë edhe në ndeshjen e nesërme. Në këtë kampionat diferencat nuk janë shumë të dukshme dhe gjithmonë një ekip e arrin fitoren nëse e kërkon përmes sakrificës dhe bashkëpunimit të të gjithë lojtarëve.  Flamurtari si brenda ashtu edhe në transfertë hyn për të marrë 3 pikëshin."-tha fillimisht Daja.

Trajneri i kuqezinjve preku edhe çështjen e brazilianit Elton Kale, i cili edhe pse po stërvitet me Flamurtarin nuk mund të aktivizohet.

"Në start e kishim parashikuar si një sulmues që do i jepte ekipit një farë manovre tjetër në fazën sulmuese. Tashmë nuk e kemi. Po punojmë me drejtuesit për të gjetur një zgjidhje të mundshme. Shpresojmë që të bëhet sa më shpejt sepse në fund fare do na duhet si një blerje e re. " përfundoi Daja.

Në konferencën për shtyp foli edhe Blerim Kotobelli, i cili bëri një paraqitje mjaft të mirë ndaj Kukësit. Mbrojtësi i majtë nuk e diskuton fitoren kundër bluzinjve.

"Është një ndeshje shumë e vështirë. Ne e kemi vlerësuar kundërshtarin dhe do të futemi në fushë për ta fituar ndeshjen. Ekipi i Luftëtarit ka një ekip shumë të mirë, por mendoj se pikë të fortë ka kundërsulmin. Por ky është një 90 minutësh që duhet ta fitojmë." -tha Kotobelli.

Flamurtari është i plotë në këtë sfidë, me përjashtim të Pollozhanit që është në dyshim pas dëmtimit që pësoi në ndeshjen me Kukësin.

EMISIONET