Flamurtari ka ruajtur ecurinë e një jave më parë, teksa ka mposhtur minimalisht Kamzën, 1 me 0. Një rezultat që kënaq skuadrën vlonjate, por jo teknikun e tyre, me Ilir Dajën që pohon se ky 3 pikësh erdhi edhe si pasojë e fatit.

"Të them të drejtën edhe në momentin që jemi, pas ka mbetur edhe një javë nga mbyllja e fazës së parë edhe kushtet e terrenit, por edhe gjendja jo e mirë shëndetësore e Torrasas dhe Alves. Kemi nxjerrë 12 veta në nxehmje për të gjetur ato që do ishin më të mirët e mundshëm për tu përshtatur me terrenin, pastaj vendosen të rriskonim. Futëm lojtarë të dëmtuar. Lojtarët sakrifikuan. Në fakt kohët e fundit kemi pasur rikthimin e disa lojtarëve nga dëmtimet, kemi rikuperuar Cale, por edhe lojtarët janë njohim më mirë me njëri-tjetrin, ndaj edhe mendoj se kemi bërë performanca të mira."

"Për momentin kemi pak probleme me mbylljen e ndeshjeve, por në fazën tjetër kam besim se do të përmirësohemi edhe më shumë, nëse nuk do të vuajmë dëmtimet. Në repartin e sulmit kemi lojtarë që nuk kanë 90 minuta në këmbë dhe me kalimin e minutave filtri i parë fillon të mos funksionojë dhe normalisht gjithçka bëhet më e vështirë, ndaj duhet bërë kujdes. Ekipi nuk është ende i konsoliduar, veçanërisht në aspektin e ekuilibrit taktik, në manovrat mbrojtëse dhe sulmuese. Besoj që në këtë minifazën përgatitore do të punojmë më mirë, pasi do të kemi gjithë organikën në dispozicion dhe shpresoj të konsolidohemi më tepër. Gjithsesi mbetemi te objektivi që kemi pasur nga fillimi, pra Europa, por rrugës mund të fillojmë të shohim më lart."-tha Daja.

/Ora News.tv/