Finlanda ka përkujtuar 100 vjetorin e pavarësisë ndërsa në Tiranë ambasada e saj organizoi një festë me të ftuar për të ndarë këtë moment të rëndësishëm. Në ceremoninë ku të pranishëm ishin edhe ambasadorë të vendeve të tjera Presidenti Ilir Meta ftoi politikën në Shqipëri dhe Kosovë të ndjekin shembullin e saj në arritjen e konsensusit për çështjet jetike për vendin.

Ilir Meta:" Unë uroj që kjo lidhje mes nesh të jetë një ogur fatbardh që Shqipëria dhe Kosova të kenë një zhvillim po kaq të suksesshëm në të ardhmen sa Finlanda. Të maturohen më tej në arritjen e konsensit për çështjet e mëdha dhe jetike për vendin dhe të jenë të afta të ndërtojnë mbi vlerat dhe parimet demokratike të Evropës që aspirojmë t'i bashkohemi".

Ambasadori i Finlandës në Shqipëri Juha Markus Pyykkö shprehu mbështetje për procesin e integrimit, teksa theksin e vendosi te zbatimi i reformës në drejtësi.

Ambasadori i Finlandës Pyykkö: Bashkimi Europian përfshi edhe Finlandën do të vijojnë të mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit. Finlanda inkurajon autoritetet shqiptare që të avancojnë me reformat dhe implementimin e tyre. Në këtë kuadër unë do të nënvizioja rëndësinë e reformës në drejtësi që do të ndihmonte në përmirësimin e klimës së biznesit. Me rëndësi është gjithashtu edhe forcimi i ligjit, intensifikimi i luftës kundër korrupisionit por edhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.

Në ceremoninë e 100 vjetorit të Pavarsisë së Finlandës janë përkujtuar figurat që kanë kontribuar në historinë e saj. Finlanda është një vend me mbi 5 milionë banorë, anëtare e BE që prej vitit 1995 dhe ekonomia e saj krahasohet me vende si Franca dhe Gjermania.

/Ora News.tv/