Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka kundërshtuar argumentat e presidentit të Republikës pas kthimit në kuvend të ligjit për tatimin mbi të ardhurat nga lojërtat e fatit.

 Në reagim theksohet se nuk ka ulje, por ka njehsim të aplikimit për të gjitha kategoritë e lojërave të fatit pasi ligji përcakton shprehimisht se të gjitha kategoritë e lojërave të fatit tatohen në masën 15 për qind mbi të ardhurat bruto.

 Sipas ministrisë nëse ky ligj nuk do hyjë në fuqi , atëhere do të kemi një trajtim të diferencuar të një subjekti në treg, i cili do të vijojë të tatohet me shkallë tatimore 10%. 

Në dekretin e presidentit për kthimin e ligjit në kuvend, argumentohet se ndryshimi i mënyrës së tatimit të të ardhurave ul barrën fiskale të lojërave të fatit duke rënë ndesh me objektivat sociale të vendit. Në ligj është ndryshuar neni 6 i cili parashikon tatim 15 % për të ardhurat bruto të cilat janë diferenca midis shumës totale të luajtur dhe shumës së fituar. Ndërkohë më parë tatimi realizohej mbi xhiron totale.

Konstatohet se vetëm një dispozitë e tij dhe konkretisht neni 6 i ligjit, paraqet një problematikë të theksuar, pasi parashikimet e tij realizojnë uljen e barrës fiskale, për bizneset që operojnë sot në të gjitha kategoritë e lojërave të fatit.

Lojërat e fatit janë kthyer në një problem mjaft serioz për shoqërinë shqiptare.Sipas presidentit Meta ndryshimi i nenit 6 është i paargumentuar dhe trajtimi fiskal që po i bëhet kësaj industrie është favorizues.

"Arrihet në konkluzionin se mbështetja e bizneseve në fushën e lojrave të fatit për gjithë kategoritë e tyre, përbën pengesë serioze për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social.Varësia e individit ndaj lojrave të fatit, krijon premisë për përkeqësimin e gjendjes ekonomike dhe nxit konfliktin brenda familjes, me pasoja të rënda shëndetësore dhe sociale"

Në argumentimin e presidentit theksohet se raporte të organizmave kombëtar dhe ndërkombëtar të publikuara ndër vite, kanë konstatuar se zgjerimi dhe inkurajimi i këtij modeli biznesi në indutrinë e lojrave të fatit, shoqërohet dhe me fenomene dhe pasoja negative për shoqërinë dhe familjen, të tilla si: humbje të konsiderueshme të pasurisë individuale dhe familjare, qoftë monetare, apo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme nga pjesëmarrja në lojrat e fatit, shtimin e rasteve të konflikteve familjare, kryesisht dhunës në familje ndaj grave dhe fëmijëve; rritjen e numrit të rasteve të divorceve, rritjen e numrit të të pastrehëve, si shkak i lënies peng, apo humbjes së banesës nga pjesëmarrja në lojrat e fatit si dhe përkeqsim të gjendjes së shëndetit mendor.

/Ora News.tv/