Politika shqiptare  është bërë bashkë dhe ka nderuar kujtimin dhe sakrificat  e Dëshmorëve të Atdheut me rastin e 75-vjetorit të Çlirimit dhe pse festimet kanë qenë të pakta. Presidenti Ilir Meta deklaroi se tashmë vendi është para një sprove dhe kjo duhet ti bashkojë të gjithë. Në ceremoni u vu re që kryeministri Rama ka pasur një shqetësim shëndetësor pasi pësoi një dridhje të pavullnetshme të dorës.

 Tërmeti i fuqishëm që goditi të martën vendin ka zbehur festimet për ditën e çlirimit.

Politika është mjaftuar vetëm me vendosjen e kurorave me lule. Kryeministri Edi Rama, presidenti Ilir Meta e personalitete të tjera të larta të vendit  kryen homazhe tek monumenti “Nëna Shqipëri”. Por, Tragjedia dhe tensioni i ditëve të fundit duket se është reflektuar edhe në qetësinë dhe shëndetin e kryeministrit Edi Rama. Nga pamjet e transmetuara live duket se dora e majtë e kryeministri bën dridhje të pakontrolluar.

Ndërkohë presidenti Ilir Meta në një prononcim ka theksuar se kjo sprovë duhet të na bëjë të bashkuar ndërsa ka vënë theksin tek ndihma që po jep Kosova.

Presidenti Ilir Meta: "Ne do të vazhdojmë të përballojmë edhe këtë sprovë që na shkaktoi kjo fatkeqësi natyrore dhe besoj se të bashkuar, por edhe duke patur në krahë miq dhe partnerë që nuk munguar të na ndihmojnë që në momentet e para, ku padyshim Kosova ka shkëlqyer me gatishmërinë e saj do tja dalim pavarësisht nga kostot të cilat janë të mëdha".

Në ceremoni ishin të pranishëm edhe veteranë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe pasardhës të tyre, pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë, drejtues të pushtetit vendor dhe të institucioneve shtetërore dhe qindra qytetarë.

/Ora News.tv/