Kishin zgjedhur Athinën për të kaluar muajin e mjaltit, por ajo që duhej të ishte gëzim është kthyer në momente ankthi dhe tmerri.

Zoe Holohan, vajza nga Irlanda  është plagosur nga flakët që tashmë i kanë marrë jetën mbi 80 personave, ndërsa bashkëshorti i saj, Brian O’Callaghan-Westropp, nuk është gjetur ende dhe rezulton i zhdukur, shkruan DailyMail. 

Ata ishin martuar të enjten e kaluar dhe menjëherë më pas ishin nisur për të kaluar muajin e mjaltit në Mati, zona më e prekur nga zjarret në Athinë.

Të paktën dy turistë u mbytën pasi varka e tyre u përmbys teksa po përpiqeshin të shpëtonin nga flakët.

Një nënë dhe djali i saj nga Polonia janë mes viktimave. Ata kanë qenë në një anije së bashku me 8 persona të tjerë, por fati i këtyre të fundit nuk dihet.

Në të njëjtën fshat, një numër pushuesish dhe vendas janë djegur të gjallë. Disa prej tyre ishin bllokuar në makinë për shkak të bllokimit të trafikut pasi qindra persona kanë tentuar të largoheshin nga ferri.

Autoritetet kanë kërkuar dronë amerikanë për të kryer hetimet pasi dyshohet se në të njëjtën kohë dhe në tre vende të ndryshe pranë Athinës janë ndezur 15 vatra zjarri.

Ndërkohë flakët janë favorizuar nga era dhe temperaturat e larta. Viktima më e vogël është një foshnje 6 muajshe.

Mësohet se ka nisur puna dhe për identifikimin e viktimave ndërkohë deri tani zyrtarisht nuk rezulton të ketë shqiptarë të vdekur. Ambasada shqiptare e cila thotë se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet greke raporton për vetëm tre të plagosur.


/Ora News.tv/