Pak  javë më parë prestigjiozja britanike “The Guardian” e konsideronte  Tiranën si një nga qytetet më miqësore me fëmijët. Vlerësim ky i bazuar  te investimet dhe vëmendja e Bashkisë së Tiranës për të shtuar  infrastrukturën në shërbim të tyre, përfshi këndet rekreative, si mënyra  më e mirë për t'u argëtuar, por edhe për t'u rritur të shëndetshëm duke  u marrë me aktivitet fizik dhe sportiv. Sot ka ardhur një tjetër  vlerësim, por kësaj here nga një institucion i specializuar si Federata  Europiane e Atletikës, e cila e konsideron Tiranën një qytet miqësor me  ata që merren me sport. 

Vlerësimi  është bërë nga presidenti i atletikës europiane, Svein Arne Hansen, i  cili është pritur sot në një takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së  Tiranës, Erion Veliaj. Gjatë këtij takimi ai përshëndeti zhvillimet  pozitive që kanë ndodhur në Tiranë në drejtim të zhvillimit të sportit  dhe nismave që nxisin fëmijët për t'u angazhuar në aktivitete sportive.  Në shenjë mirënjohjeje ai i dorëzoi kryebashkiakut Veliaj dhe një çmim  për gjithçka ka bërë për sportin, atletikën në veçanti, përfshirjes së  fëmijëve në aktivitete fizike dhe sportive, si dhe programin e hapjes së  palestrave të shkollave për komunitetin.

Në  tre vitet e fundit në Tiranë janë krijuar një sërë këndesh rekreative  dhe lojërash për fëmijë, ndërsa është drejt fundit ndërtimi i pistës së  vrapimit në Parkun e Madh të Liqenit Artificial. 

Ndërkohë  që Bashkia e Tiranës ka nisur të zbatojë edhe projektin e hapjes së 62  palestrave të shkollave në Tiranë për të gjithë ata që duan të  angazhohen në sport. Vizioni i këtij projekti është  gjallërimi i jetës  sportive në  përgjithësi dhe asaj të futbollit në veçanti në shkollat e  qytetit të Tiranës.

Ky projekt ka si objektiva kryesore:

Nxitjen dhe inkurajimin e sportistëve të rinj pranë shkollave të mesme;

Gjallërimin e jetës sportive, nëpërmjet zhvillimit të sportit;

Zhvillimin e edukimit në fuqizimin e luftës ndaj alkoolit, drogës, duhanit, dhunës si dhe fenomeneve të tjera negative;

Promovimin e talenteve të reja dhe zhvillimin e tyre;

Krijimin e traditës sportive nëpërmjet Bashkisë Tiranë, në zhvillimin e kapaciteteve sportive rinore në të ardhmen.

/Ora News.tv/