FA forcojnë argjinaturën e Vjosës, Xhaçka: Evitojmë përmbytjet në Fier

FA forcojnë argjinaturën e Vjosës, Xhaçka: Evitojmë

Forcat e Armatosura dhe bashkia Fier po i japin fund përmbytjeve në njësitë administrative Frakull dhe Dërmenas, duke forcuar ndjeshëm argjinaturën e lumit Vjosë, në një gjatësi prej gati 4 km.

Ngritja me mbi 2 metër nga niveli ekzistues i kësaj argjinature, nga fshati Ferras, deri në rrugën nacionale Levan-Tepelenë, afër fshatit Frakull, pritet të përballojë pa problem prurjet e lumit Vjosë gjatë stinës së reshjeve.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e shoqëruar deputetë dhe drejtues lokalë të qarkut inspektuan nga afër punimet.

Xhaçka e konsideroi si shumë të rëndësishëm këtë investim për parandalimin e përmbytjeve në këtë zonë, si dhe përmendi mbështetjen për pushtetin lokal jo vetëm me mjete e forca, por edhe me buxhet.

“Është një punë shumë e madhe dhe ka një përfitim të jashtëzakonshëm për zonën, pasi të gjitha ato dëme që do t’i kishim në rast përmbytjesh, evitohen. Kemi filluar të mbështesim edhe me buxhet të gjitha këto projekte parandaluese që të mos kemi vetëm adresim të problemeve kur ndodhin emergjencat,  por mundësisht t’i parandalojmë sepse dëmet që na shkaktojnë janë shumë më të mëdha sesa kostot që do kishim pasur në rast se do kishim investuar paraprakisht. Do na keni mbështetje, jo vetëm këtë vit, por edhe vitin tjetër për të finalizuar gjithë sa do na duhet për ta evituar njëherë e mirë problemin e përmbytjeve këtu. “- u shpreh ministrja Xhaçka.

Gjatë qëndrimit në qarkun e Fierit, ministrja Xhaçka pa nga afër punën për ndërtimin e bypass-it të Fierit, ku aktualisht po punohet paralelisht në 7 segmente të ndryshme dhe pritet që hapja e një korsie të bëhet para sezonit turistik veror.

Ministrja Xhaçka ishte edhe në një fabrikë fasoneri në Patos, e cila ka përfituar nga programet e lehtësimit të qeverisë për punësimin.

EMISIONET