Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi e ftuar në studion e lajmeve të RTV ORA komentoi zhvillimet e fundit në vend. Së pari ajo foli për tubimin e mbajtur në 2 mars, thirrur nga Presidenti Ilir Meta. Kushi tha se Presidenti nuk ka kompetenca për të shpërndarë Kuvendin. Sipas saj, është parlamenti ai që ka kompetencën për të shkarkuar Presidentin, ndërsa tregoi se në Kushtetutë janë përcaktuar dhe rastet kur shpërndahet parlamenti, por jo nga Presidenti.

Evis Kushi: Ajo çfarë ne kemi miratuar i qëndrojmë, ne do të vazhdojmë me të njëjtin qëndrim. Mendonim e ato të papriturat e krizës politike kishin pëfunduar, por shohim se ngjarje të papritura kemi dhe tani. Ne jemi republikë parlamentare dhe Kushtetuta e Shqipërisë ka rastet kur shpërndahet parlamenti. Parlamenti ka kompetencë për të shkarkuar Presidentin, ndërsa ai nuk ka kompetencë për të shpërndarë parlamentin. Protestat nuk janë të papritura se jetojmë në demokraci. 

Ne nuk na shqetëson aspak. Po të llogarisësh anëtarësinë e PD dhe LSI mund të kishin qenë dhe më shumë. Ata që ishin në shesh kanë qenë mbështetësit e opozitës. Në çdo qeverisje ka qytetar që janë të pakënaqur. Ne kemi bërë reforma ku ndoshta një pjesë e opozitës mund të mos jenë të kënaqur. Presidenti shqetësohet për Kushtetutën, por ai vetë e ka shkelur në disa raste. Kauza e tij nuk qëndron. Ne e respektojmë Kushtetutën, për këtë kemi kërkuar dhe opinionin e Venecias. Ne do ti vlerësojmë të gjitha argumentat e Komisionit të Venecias. Nëse nuk do e merrnim në konsideratë opinionin nuk do e kërkonim. Kështu që do e kemi në konsideratë. 

Përfundimi i Reformës Zgjedhore: - Më tej, deputetja socialiste komentoi edhe ecurinë e punës për Reformën Zgjedhore. Kushi tha se diskutimi i fundit lidhet me financimin e partive, një kërkesë që më herët PD kishte propozuar që partitë politike të financohet nga buxheti i shtetit. Megjithatë, PD është tërhequr nga kjo kërkesë, ndërsa tashmë po diskutohet shifra se sa do të jetë financimi nga buxheti dhe sa nga privatët. Sipas Evis Kushit, për të gjitha propozimet e rëndësishme është që në fund të ketë dakordësinë e të gjitah palëve.

Evis Kushi: Që ka qëndrime të ndryshme  në këtë tryezë, kjo është normale. Nuk ka asnjë shqetësim për ne që palët vijnë me qëndrime të ndryshme. Unë besoj se ka progres për Reformën Zgjedhore. Hapi i parë pozitiv ishte që opozita erdhi në këtë tryezë, ne krijuam mundësinë që ata të ishin të pranishëm. Edhe OSBE po luan një rol të rëndësishëm. Ka një diskutim së fundi përsa i përket financimeve të partive politike. PD është tërhequr nga financimi 100% të partive nga buxheti i shtetit. Është e vështirë që buxheti i shtetit t`i financojë 100%.  Diskutimi është te shifra. Për ne është e rëndësishme që të kemi një dakordësi deri në 15 mars, pasi kjo pastaj do të duhet të marrë kohë për miratimin në parlament. 

E rëndësishme është që të ketë disa elementë të tjerë që garantojnë shmangien e atyre problematikave që janë raportuar deri më sot. Ne po konsultohemi dhe me vende të tjera. Shtete të ndryshme mund të kenë eksperienca të ndryshme por jo çdo eksperiencë mund të përshtatet në kushtet tona. Për ne është shumë e rëndësishme depolitizimi i administratës zgjedhore. Ka shumë hapësira se si mund ta aplikojmë. Për ne është e rëndësishme që të gjitha palët të jenë dakord. Për ne është e rëndësishme që administrata zgjedhore të jetë e depolitizuar. Ky do jetë në një moment të dytë. Nuk është rekomandim i OSBE/ODIHR. Për ne nuk është problemi te sistemi, megjithatë ne jemi të hapur. Ne nuk vendosim kushte në tryezë. Kemi opinionin tonë, por jemi të gatshëm ta hedhim në tryezën e diskutimit. 

/Ora News.tv/