Etnomuzikologu Ramadan Sokoli “Nderi i Kombit”, Meta: Vrasja e Esat Pashës, akt shtetformimi

Etnomuzikologu Ramadan Sokoli “Nderi i Kombit”, Meta: Vrasja e Esat

Presidenti i Republikës, Ilir Meta çmoi etnomuzikologun, kompozitorin dhe pedagogun e shquar Ramadan Sokoli (pas vdekjes) me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje si themelues i etnomuzikologjisë shqiptare, muzikolog, kompozitor e pedagog. Vepra e tij studimore e muzikore është pjesë e patjetërsueshme e identitetit kulturor evropian të shqiptarëve. Kontributet e tij të jashtëzakonshme kanë bërë që të flasin shqip zbulimet e arkeologjisë sonë muzikore, duke dhënë përgjigje shteruese për mënyrën e organizimit dhe tipologjisë bazë të folklorit muzikor shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë të vendit tonë”.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit risolli në kujtesë edhe vrasjen e Esat Pashës në Paris, duke e vlerësuar si një akt shtetformues.

Meta: Viti 1920 është një vit i bekuar në historinë e kombit e të shtetit shqiptar. Nis me një ngjarje të madhe siç ishte Kongresi i Lushnjes. Vazhdoi me një ngjarje tjetër në Paris, shumë të madhe që gjithashtu ishte një akt shtetformues. Dhe përfundoi me hedhjen në det të pushtuesve të fundit, duke i dhënë kështu jetë shtetit shqiptar dhe kurorëzuar me sukses ato tetë vite aq të mundimshme, të lodhshme e rraskapitëse që nga 28 Nëntori 1912.

Profesor Ramadan Sokoli kaloi nëpër shumë sfida jetësore duke u shndërruar në një shtyllë të patjetërsueshme referimi për zbulimin dhe shpalosjen e vlerave të jashtëzakonshme kulturore të kombit tonë. Ai rridhte nga një familje atdhetare dhe qytetare shkodrane, i mëkuar që në djep me patriotizëm nga familja historike e Sokolëve, si pasardhës i denjë i Hodo Pashë Sokolit, njërit prej komandantëve kryesorë të Lidhjes së Prizrenit. I kthyer plot me ëndrra nga studimet në atdhe, pas Luftës së Dytë Botërore ai u burgos padrejtësisht nga diktatura komuniste, që u mundua më kot të thyente karakterin e paepur të këtij burri kryelartë e fisnik shqiptar.

EMISIONET