Esat Mala: Luaj ku do trajneri, gati të ndal Bathën

Esat Mala: Luaj ku do trajneri, gati të ndal Bathën

Në prag të ndeshjes me Flamurtarit, në konferencën për shtyp në krah të trajnerit Gega, u shfaq mesfushori i Partizanit, Esat Mala. Edhe pse në një moshë të re, vetëm 19 vjeç, Mala është kthyer në një futbollist kyç për teknikun 54 vjeçar.

Luani para mbrojtjes dhe tani edhe në krah. Ku ndjehet më komod Mala?

Për mua e rëndësishme është që të jem në fushë, luaj ku me vendos profesori dhe mundohem që të jap më të mirën e mundshme.

Duket që tani keni peshë në skuadër, a ju jep më shumë përgjegjësi ky fakt?

Normalisht, kur luan duhet të kesh përgjegjësi, nuk ka rëndësi mosha që ke. Çdo lëvizje që duhet ta bësh, duhet ta bësh me përgjegjësi në maksimum, unë vlerësoj çdo aspekt, çdo minutë dhe mundohem që të jap më të mirën.

A ju vendos nën presion rikthimi i tifozëve?

Absolutisht nuk na vendos nën presion. Faktikisht është motivim më shumë për ne se gjithmonë ata kanë qenë afër nesh dhe vazhdojnë që të jenë e të na mbështesin. Ata janë forca jonë.

Cili është vlerësimi yt për Partizanin në këtë sezon?

Ky Partizan tani është një grup shumë i mirë, të gjithë çunat janë të bashkuar dhe kanë një harmoni të veçantë, mendoj se Partizani hyn në ndeshje për të marrë tre pikët dhe ky është objektivi në çdo ndeshje.

A do të ishe gati të mbaje Bathën, ish-kapitenin e Partizanit në ndeshjen me Flamurtarin?

Normalisht që po, detyrat janë detyra dhe aq më tepër kur i jep profesori Gega.

EMISIONET