Bashkimi Evropian thotë që emigrantët e ndodhur në brigjet e Italisë duhet të transferohen në vende të treta si Shqipëria me miratimin e tyre.

Zëdhënësja e BE-së, Natasha Bertaud, thotë se është në dorën e autoriteteve italiane për të siguruar kushtet në përputhje me ligjet e azilit.

 "Kur bëhet fjalë për marrëveshjet dypalëshe midis një shteti anëtar dhe një vendi të tretë", siç është Shqipëria për zhvendosjen e emigrantëve, "ne duhet t'i pyesim ata" me detaje, por "ka më shumë elementë që duhet të shqyrtohen" për të vlerësuar ligjshmërinë e tyre, në veçanti "pëlqimin e njerëzve" për të kërkuar azil në një vend tjetër përveç vendit të mbërritjes", thotë Bertaud cituar nga Ansa.

“Dërgimi i azilkërkuesit në një vend të tretë, pa e vlerësuar kërkesën për azil, përbën refuzim dhe nuk lejohet as nga BE dhe as nga e drejta ndërkombëtare”, u shpreh Bertaud gjatë konferencës për shtyp. 

Zëdhënësja tha gjithashtu se elementët e tjerë që duhen marrë parasysh janë direktivat për azilin dhe kthimin dhe rastet nëse emigranti ka të drejtën e azilit. 

"Aplikimi konkret" i këtyre rregullave është "të sigurohet se ato respektohen nga autoritetet kombëtare", shtoi ajo.

100 emigrantë nga Afrika janë strehuar në qendrën e emigrantëve të Rocca di Pappa nën kujdesin e Kishës Katolike.

 40 emigrantët e tjerë të anijes "Diciotti"vazhdojnë të qëndrojnë në qendrën e identifikimit të emigrantëve në Katania, ku gjysma do të nisen drejt Shqipërisë dhe pjesa tjetër drejt Irlandës.

Natën e 16 gushtit, anija e rojës bregdetare italiane "Diciotti" shpëtoi 177 emigrantët në ujërat e Mesdheut.

Pas disa ditësh në det të hapur e në pritje të një porti të sigurt për të zbarkuar, kjo anije u lejua të ankorohet në portin e Katanias.

Qeveria italiane fillimisht lejoi zbritjen vetëm të emigrantëve minorenë e për 4 ditë të tjera bllokoi zbarkimin e emigrantëve në tokë.

Pas apelit të institucioneve evropiane e të Papa Françeskut, negociatat e Ministrit të Jashtëm italian Enzo Moavero çuan në zgjidhjen e kësaj situate.

Salvini: Emigrantët do zbresin nga anija. Falenderojmë Shqipërinë, Francës t'i vijë turp

Shoqata Italiane mbi Emigracionin: I paligjshëm transferimi i emigrantëve në Shqipëri

Emigrantët/ Presidenti i Puglias: Rama shpëtoi qeverinë tonë, Shqipëria sa më parë në BE!

Emigrantët, Rama: BE e la vetëm Italinë


/Ora News.tv/