"El Clasico" zhvendoset në merkato, Real e Barcelona sfidojnë United për mesfushorin

"El Clasico" zhvendoset në merkato, Real e Barcelona

Reali i Madridit dhe Barcelona kanë mbyllur të gjithë përgatitjet për sfidën "El Clasico" e programuar për tu luajtur nesër, duke nisur nga ora 20:00.

Megjithatë, derbi mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll nuk do ndalet këtu. Ai do të "transferohet" edhe në merkato, me Realin e Barcelonën që kanë vënë në krye të dëshirave një mesfushor. Bëhet fjalë për talentin e Ajax, Donny van de Beek, me "Diario Sport" që zbulon se dy gjigantët e La Liga janë futur në garë për të siguruar shërbimet e tij.

Manchester United është një tjetër skuadër e interesuar për holandezin, por futja në garë e Real e Barcelona pritet ta komplikojë situatën. Kontrata aktuale e Van de Beek skadon në verën e vitit 2022, por transferimi i tij jashtë Holandës mund të ndodh gjatë vitit 2020.

22-vjeçari ishte pjesë e një suksesi mahnitës të Ajax në sezonin e shkuar, ku fitoi kampionatin, kupën dhe Superkupën e Holandës, teksa shkoi deri në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve. Formë të cilën mesfushori e ka treguar edhe këtë sezon, duke shënuar shtatë herë dhe duke kontribuar me gjashtë asistime në 24 paraqitje në të gjitha garat.

EMISIONET