Presidenti Ilir Meta deklaron se sa herë Rama ka dëgjuar mendimet e tij nuk i ka dalë keq. Në një intervistë ekskluzive për RTV Ora, Meta thotë se do të vazhdojë të presë Ramën "sepse është marrëzi që ne pas tridhjetë vitesh të shkojmë në zgjedhje pa opozitën" 

Pjese nga intervista

Presidenti Meta: Po të ishte për raporte personale, duhet të keni parasysh që raportet e mia me Berishën kanë qenë mjaft të vështira, pastaj më ndryshe, edhe me Ramën dhe me këdo. Unë po të nisem nga pozitat personale, kam frikë se do të kisha marrë vendime të tjera, por unë gjithmonë nisem nga gjykime politike dhe nisem në interes të vendit, dhe pranoj dhe atë rezultat apo ata interlokutorë që na jep qytetari shqiptar herë pas herë përmes zgjedhjeve që bëhen apo që bëheshin.  

Sonila Meco: Keni ngrënë një drekë që ju e përmendët para se të bënit komunikimin e parë publik me gazetarët. Çfarë është folur në atë drekë? 

Presidenti Meta: Nuk ka ndonjë arsye për të thënë se çfarë është folur nëpër dreka apo darka.

Sonila Meco: Po pse e përmendët atëhere? 

Presidenti Meta: ...ato janë dreka apo darka të tilla ku shkëmbehen mendimet të lirshme, të natyrshme.  Presidenti apo ndonjë politikan gjithmonë gjykohet nga veprimet e tij publike, nga ndonjë akt publik, nga qëllimet e mira, nga pasojat pozitive apo negative që ai jep. Qëllimet e mia kanë qenë tepër pozitive dhe nuk besoj se ka ndonjë suprizë për vendimin tim të çështjes së shfuqizimit të dekretit të datës 30 qershor për arsye se unë që më 24 maj publikisht, kur kemi një reagim zyrtar të CDU / CSU-së në Bundestagun gjerman për krizën në Shqipëri, dhe që ata kërkojnë që për të mirën e së ardhmes dhe të çeljes së negociatave të Shqipërisë, pra me gjithë situatën, të vendoset dialog, të shikohet mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve vendore që ato të jenë gjithëpërfshirëse, të të ofrojnë madje që ata të marrin një rol moderues midis palëve, unë e kam shprehur publikisht, zyrtarisht, me deklaratë zyrtare, gatishmërinë time edhe për të rishikuar datën e zgjedhjeve vendore, pasi palët të binin dakord. Dhe vazhdimisht kam marrë iniciativa të tilla, edhe informalisht, sepse...

Sonila Meco:  Unë vazhdoj të këmbëngul.

Presidenti Meta: ...sepse unë mendoj se është marrëzi që ne pas tridhjetë vitesh të shkojmë në zgjedhje pa opozitën. 

Sonila Meco
: Do të shkoj edhe aty. Tani dua të qëndroj edhe pak te raporti me kryeministrin Edi Rama, sepse në momentin kur kreu më i lartë i shtetit...

Presidenti Meta: Unë raportet me të i kam shumë të mira kur nuk i preken interesat e tij. Kaq. 

Sonila Meco: Në fakt është e çuditshme: sa herë keni qenë bashkë i keni dhënë fitoren së majtës, sa herë jeni ndarë...

Presidenti Meta: Sa herë që ai i ka dëgjuar mendimet e mia, këshillat e mia, nuk i ka dalë keq. Sa herë i ka dëgjuar, jo vetëm të miat, por edhe të të tjerëve. Kur nuk i ka dëgjuar... Unë nuk i imponohem dot.

Gazetarja: Keni komunikime me zotin Rama?

Presidenti Meta: Komunikime në çfarë drejtimi? 

Gazetarja: Ju dolët përpara publikut dhe folët për një drekë. Hani më dreka apo darka?

Presidenti Meta: Unë vazhdoj të pres. 

Sonila Meco: 
Institucionalisht e di që nuk ju përgjigjet.

Presidenti Meta: Ia kam çuar edhe me shkrim. 

Sonila Meco: Institucionalisht e di që nuk ju përgjigjet. Në nivel personal? 

Presidenti Meta
: Unë kam durim. Nuk jam i padurueshëm. Jam i durueshëm. 

......



/Ora News.tv/