Presidenti Ilir Meta ka dalë kundër idesë së presidentit francez Emmanuel Macron për krijimin e një partneriteti “të privilegjuar” për disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë konferencës për shtyp me homologun maqedonas Stevo Pendarovski, Meta tha se çdo lloj ideje që parashtrohet si alternativë për të zëvendësimin e procesin të anëtarësimit të të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është e papranueshme.

Gazetari: Po qarkullon ideja se Franca kërkon partneritet special për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. A është zgjidhje e duhur dhe a duhet të pranohet?

Ilir Meta:  “Çdo lloj ideje informale që mund të paraqitet apo parashtrohet si alternativë për të zëvendësuar procesin e anëtarësimit të vendeve tona dhe të Ballkanit Perëndimor në BE është e pakuptimtë dhe e papranueshme. Dihet se gjithë ky progres i madh që është bërë në këtë rajon është bërë në frymëzimin e përbashkët të integrimit evropian të të gjithë vendeve tona. Së dyti, ne tashmë jemi një rajon i rrethua nga BE dhe nga NATO. Kështu që e vetmja perspektivë dhe e vetmja zgjidhje është vazhdimi i këtij procesi të zgjerimit të BE dhe anëtarësimit të vendeve tona. 

Për mua është e drejtë dhe legjitime kërkesa e çdo udhëheqësi të vendeve të BE për të kërkuar nga çdo vend që dëshiron të përfshihet në procesin e zgjerimit dhe të anëtarësohet se përveç të drejtave që fiton  nga etapa të ndryshme të këtij procesi ti qëndrojë fort edhe detyrimeve. Kjo është një e drejtë legjitime pasi jemi ne që kemi kërkuar të hyjmë në familjen e BE dhe e dimë që atje ka disa rregulla. E dimë që ka disa kritere, janë kriteret e Kopenhagen dhe që duhen përmbushur. Dhe në këtë drejtim çdo qëndrim që inkurajon vendet tona për të qëndruar dhe përmbushur detyrimet që burojnë nga ky proces është mëse legjitim dhe i pranueshëm.

Është detyra jonë të bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha vendet. Dhe në veçanti edhe me ato që janë më kritiket për të demonstruar përgjegjshmërinë dhe besueshmërinë tonë si anëtarë të denjë në të ardhmen e kësaj familje të madhe. Besoj se edhe Franca por edhe vendet e tjera do ti qëndrojnë angazhimeve të saja strategjike për sa i takon Ballkanit Perëndimor të ndërmarra përgjatë këtyre dekadave ku kontributi i saj ka qenë mjaft i spikatur për stabilitetin, sigurinë dhe për arritjet pozitive të këtij rajoni që duhet të konsolidohen dhe mund të konsolidohen më tej përmes procesit të zgjerimit dhe anëtarësimit të vendeve tona në Bashkimin Evropian.”

Lexo: Gjithashtu edhe homologu i tij maqedonas ndau të njëjtin qëndrim.

Propozimi Macron

Franca pritet të fillojë konsultime diplomatike jozyrtare, për të ofruar partneritet “të privilegjuar” për disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas propozimit, mbështetja financiare, angazhimet speciale për qasje në tregjet evropiane dhe përfitime të tjera do t'u ofrohen vendeve të Ballkanit Perëndimor në këmbim të një "tërheqjeje të heshtur" të anëtarësimit të plotë.

Mediat evropiane kritikuan ashpër Francën, duke e akuzuar atë se po shtyn Ballkanin Perëndimor në duart e Rusisë, Turqisë dhe Kinës, duke hequr dorë nga axhenda e zgjerimit të BE-së.

Sipas mediave serbe, Francës po i ushtrohet presion nga partnerët e saj evropianë, që të heq dorë nga qëndrimi i saj ‘kokëfortë’ në Samitin Europian, që do të mbahet marsin e viti që vjen dhe të lejojë që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të fillojnë negociatat, e më pas të zgjidhin çdo problem të mbetur gjatë kësaj faze.


/Ora News.tv/