Mazhoranca nuk pranon kërkesën e opozitës për qeveri kujdestare në lidhje me zgjedhjet.

"Këto janë bizantinizma. Policia e shtetit është organ profesional. Nuk ka model në botë që njihet të vëmë një drejtor policie për zgjedhje. Nuk është detyra jonë të bëjmë ligje për policinë e shtetit” tha Gjiknuri.

Pas katër orë debatesh me dyer të mbyllura, Këshilli Politik u dakortësua për rolin e prokurorisë, policisë dhe sinjalizuesit në zgjedhje.

U ra dakord për çështjet si më poshtë

Policia në Zgjedhje- Policia do të jetë jashtë qendrave të votimit dhe do të ndërhyjnë në rastet kur është e nevojshme. Gjithashtu do të ketë kamera në qendrat e votimit dhe numërimit.

Prokuroria në Zgjedhje-SPAK do të hetojë shitblerjen e votës, ndërsa prokuroritë e rretheve do të ngrenë grupe të posaçme për krimin zgjedhor.

Sinjalizimi në zgjedhje-Amnistimi i personave që denoncojnë shitblerjen e votave

Nuk ka dakortësi për Drejtorin e Policisë dhe teknologjinë

Një pikë që nuk ka marrë dakortësinë e mazhorancës dhe opozitës parlamentare ka qenë propozimi i PD që Ministri i Brendshëm që do të vijë nga qeveria tranzitore duhet të emërojë drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit. Socialistët thonë se për këtë vendim duhen takime të niveleve më të larta. 

Sa i takon Kolegjit Zgjedhor dhe administratës zgjedhore, dy pikat e nxehta në diskutimin mes palëve, pritet të vihen pikat mbi 'i' në ditët në vazhdim pasi pritet të ketë mbledhje të tjera nesër dhe gjatë fundjavës.

Palët nuk kanë gjetur konsensusin as për futjen e teknologjisë në zgjedhje. Opozita i ka lënë afat mazhorancs deri nesër për tu paraqitur me propozim me shkrim ku garanton identifikim biometrik në çdo qendër votimi dhe një pilot të votimit dhe numërimit elektronik. 

Pjesë e diskutimeve në tryezën e Këshillit Politik ka qenë edhe sistemi danez i  propozuar nga amerikanët.

Këshilli  Politik do të mblidhet sërish nesër në orën 11:00.

SHBA, BE e OSBE shton presionin: Mbylleni reformen më 31 maj

Pak orë nga mbledhja e Këshillit Politik për reformën zgjedhore (ora 17:00) ndërkombëtarët kanë intensifikuar takimet dhe mesazhet drejtuar palëve politike me qëllim gjetjen e "kompromise konstruktive". Gjithashtu ata janë gati të ofrojne mbështetje për përmbylljen e kësaj reforme të rëndësishme sa më shpejt, idealisht brenda 31 majit, sikurse janë zotuar partitë politike.

Objektivi- Reforma zgjedhore është kthyer objektiv i politikës dhe ndërkombëtarëve në ditët e fundit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë rritur presionin ndërsa janë angazhuar ndjeshëm për të inkurajuar palët politike në vend drejt konsensusit për ligjin zgjedhor.

Takimet intensive te ambasadores SHBA-   Ambasadorja Juri Kim, pas disa takimesh me kryeministrin dhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha, të mërkurën ka thirrur në takime të ndara anëtarët e këshillit polik.

Sot  shefja e diplomacisë amerikane, u takua edhe me kryetarin e kuvendit Gramoz Ruçi, ku reforma zgjedhore dhe çështjet e integrimit kanë dominuar  bisedën e cila ka zgjatur rreth 60 minuta.

Burimet nga Ambasada Amerikane bëjnë me dije se zonja Kim është takuar edhe me Damian Gjiknurin, Rudina Hajdarin dhe Oerd Bylkbashin, ndërsa pritet që të takohet me Petrit Vasilin gjatë drekës.

Takimet dhe mesazhet 

Ora 13:00  Takimi me Ruçin me kërkesë të ambasadores 

Kim,  nuk pranoi të prononcohet për mediat, ndërsa zyra e shtypit e Kuvendit informon se takimi i Kryetarit te Kuvendit, z. Gramoz Ruçi me Ambasadoren e SHBA-se u be me kërkesën e saj. Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e reformës zgjedhore, të reformës në drejtësi dhe të procesit të ingrimit europian të Shqipërisë, pas momentit historik të vendimit për çeljen e negociatave nga Bashkimi Europian. Suksesi i reformës zgjedhore dhe i reformës në drejtësi është jetik për ecjen përpara të Shqipërisë, zhvillimin e vendit, konsolidimin e demokracisë dhe suksesin e proceseve integruese. 

Ora: 12:00 Zhvillime kishte edhe ne kampin opozitar. Kryetari i PD-së Lulzim Basha, ka zhvilluar një bisedë telefonike me komisonerin për zgjerim  OliverVarhelyi, me të cilin ka diskutuar për integrimin dhe rendësinë e reformës zgjedhore. Përmes një postimi në Twitter, Basha tha se falenderoi komisionerin për mbështetjen dhe përpjeket për të kontribuar në reformën zgjedhore.

Ora 11: 20  Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, bën thirrje për gjetjen e kompromisit konstruktiv dhe mbylljen  e reformës idealisht brenda 31 majit.

Ora 11: 15  Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi Oliver Varhelyi bisedë telefonike me kryetarin e PD Lulzim Basha. Mbyllni reformen zgjedhore pa vonesa

Ora 11:10 - Ambasadorja Yuri Kim mbërrin në kryesinë e Kuvendit ku do takohet me Ulsi Manjën.



/Ora News.tv/