E verbër dhe e paralizuar, apeli i 35-vjeçares: Dua të shoh vajzën të rritet

Rubrika "Shqipëria pa filtra" në emisionin BOOM ka shkuar këtë të premte në Vlorë ku sjell rastin e 35-vjeçares Drita Zekaj, e cila ka mbetur e paralizuar dhe ka humbur shikimin për shkak të sëmundjes.

Pesë vite më parë, Drita filloi të ndjente dhimbje në shtyllën kurrizore dhe më pas e kishte të vështirë të lëvizte duart e këmbët.

Çdo muaj që kalonte, shëndeti i 35 vjeçares përkeqësohej dhe sot është paralizuar plotësisht. Sikur të mos mjaftonte kjo, prej një viti është e verbër pasi humbi shikimin.

Gazetarja: Cila është diagnoza e sëmundjes tuaj?

Drita Zekaj: Thënë në shqip, është dëmtuar palca e shtyllës kurrizore. Këtu është e pamundur, nuk ka as ilace. Dhe ato pak ilaçe që i marr nga goja, mezi i gjej. Ne bëjmë luftë domethënë.

Gazetarja: Çfarë trajtimi duhet të bësh?

Drita Zekaj: Mbjellje e qelizave staminale. Me atë, rikuperimi është i sigurt.

Gazetarja: Sa kohë keni që jeni divorcuar?

Drita Zekaj: Pesë vite, që kur u sëmura.

Gazetarja: U ndatë si pasojë e sëmundjes?

Drita Zekaj: Po. Të paktën shikoja. Tani nuk shikoj fare, zero. Më mungon shumë, dua të shoh Kristelin nëse është rritur.

Gazetarja: Kristeli është vajza?

Drita Zekaj: Po. Vajza ime 12-vjeçe. U bënë 16 muaj që se shikoj më. Më thotë jam zgjatur, jam rritur, është shumë e vështirë sepse nuk është se kam lindur kështu. Para 5 vitesh, isha dhe unë normale si gjithë të tjerët.

Ndërkohë, vajza mundohet të kujdeset për nënën, por i mungojnë shumë kohët kur qëndronin bashkë. Ajo u shpreh se dëshira e vetme që ka është ti shërohet e ëma.

Gazetarja: Nëna më tha që ti i shërben mamit.

Vajza: Po, i fërkoj këmbët, i jap ato gjërat që i nevojiten. I bëj shërbim aq sa mundem. Unë dua që të më shërohet mami që të jetoj si gjithë fëmijët e tjerë që kanë mamanë e tyre që i çon në shkollë, që kujdeset për ta.  Më mungojnë më shumë kohët kur dilja me mamin. Të më shërohet mami, kjo është dëshira e vetme.

Prindërit e Dritës i bëjnë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe kujtdo që mund të ndihmojë 35-vjeçaren të trajtohet në Turqi.

Nëna: Ju lutem më ndihmoni. Vajza është shumë e re, duhet të jetojë, të rrisë fëmijën. Kristeli dhe Drita janë në një certifikatë. Janë veç, pa shtëpi, pa katandi. Të shërohet njëherë, po nuk kërkojë shtëpi.


Gazetarja: Ku ju kanë thënë se mund të trajtohet vajza?

Nëna: Në Turqi, në Stamboll. Atje bëhet transplanti, mbjellja e qelizave. Kam qenë tek Spitali Nënë Tereza dhe doktorët më thanë që ne nuk i bëjmë dot gjë, këtu e ke sjellë kot. I lutem Ministrisë së Shëndetësisë shumë që vajza të kalojë në Turqi. Të lutem, Ministre e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, të lutem, vajza të më kalojë në Turqi. Bëjeni këtë për ne, bëjeni për Dritën, për Kristelin, vajzën e saj se babai e ka braktisur. Edi Rama, të lutem, kryeministër i Shqipërisë, bëj diçka për Dritën, bëj diçka, nise në Turqi të lutem, atje mund të shërohet vajza jonë.

Kushdo që dëshiron të ndihmojë Dritën që ti rikthehet jetës normale, të kontaktojë në numrin e telefonit të familjarëve: 0695106907


EMISIONET